Faton Peci paralajmëron kallëzim penal ndaj pronarit të RTV Dukagjini, Ekrem Lluka, gazetarit Lirim Mehmetaj dhe drejtuesit të emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, pas një ofendimi publik në emisionin e mbrëmshëm.
Në një reagim të ashpër publik, ministri dhe politikani Faton Peci ka bërë të ditur se do të deponojë kallëzim penal ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili – gjatë emisionit “Debat Plus” të datës 11 nëntor 2025 – e ka quajtur atë “kriminel” dhe madje e ka krahasuar me Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
“Ky krahasim absurd dhe i qëllimshëm, i bërë publikisht në një televizion vendor, është ofendim i rëndë dhe fyerje ndaj meje si person, por edhe ndaj qytetarëve që i përfaqësoj – të cilët kanë vuajtur nga regjimi i kriminelit Millosheviq,” ka theksuar Peci.
Ai ka shtuar se krahasimi i tillë ngjall urrejtje, rrezikon jetën e tij dhe të familjes, dhe përbën sulm të qëllimshëm ndaj integritetit të tij personal e politik.
“Ky pseudo-gazetar ka shprehur gjuhë urrejtjeje dhe etiketime të papranueshme, në kundërshtim me çdo standard etik e profesional të gazetarisë,” ka theksuar ai.
Peci njofton se kallëzimi penal do të bëhet për veprën “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe për vepra të tjera të ndërlidhura, siç parashihen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar procedura ligjore dhe ankesë në KPM edhe ndaj RTV Dukagjinit dhe drejtuesve të tij, duke i akuzuar për fushatë të orkestruar kundër tij, që sipas tij, ka zgjatur një vit e gjysmë.
“Kjo ka ndodhur nën organizimin e Ermal Pandurit, por dirigjimi vjen nga pronari Ekrem Lluka. Nuk është e mundshme që brenda shtëpisë së tij mediale të krijohet një platformë e veçantë kundër një njeriu, pa dijeninë dhe miratimin e tij,” ka deklaruar Peci.
Në fund të reagimit të tij, Peci ka paralajmëruar se të gjithë përgjegjësit do të përballen me drejtësinë:
“Le t’i tregojnë gjykatësit pse po përhapin përçarje, pse po nxisin urrejtje dhe pse po lejojnë shpifje e fyerje në kundërshtim me ligjin dhe kodin etik të mediave.”
I juaji,
Faton Peci




