Spitali Klinik–Tetovë ka shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mental me përfundimin e specializimit në Psikologji Mjekësore nga MSc. Fatime Tairi, e cila bëhet specialistja e parë e këtij drejtimi në historinë e këtij institucioni shëndetësor, ku prej gati pesë vitesh është e angazhuar profesionalisht në repartin e Psikiatrisë.
Swiss Residence
Fatime Tairi është e lindur në fshatin Veshallë, ku edhe ka përfunduar arsimin fillor. Arsimin e mesëm e ka ndjekur në Shkollën e Mesme Mjekësore “Nikolla Shtejn” në Tetovë. Studimet universitare i ka përfunduar në drejtimin e Psikologjisë, ndërsa studimet pasuniversitare në fushën e Psikologjisë Klinike dhe Këshilluese në Universitetin e Tetovës, ku aktualisht është e angazhuar edhe si mësimdhënëse në Fakultetin Filozofik – drejtimi Psikologji, si dhe në Fakultetin e Shkencave Mjekësore pranë të njëjtit universitet.
Specializimin në Psikologji Mjekësore e ka realizuar pranë Klinikës për Psikiatri dhe Psikologji në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” – Shkup, nën mentorimin e Dr. sci. Andromahi Naumovska, specialiste e psikologjisë mjekësore, si dhe në bashkëpunim me strukturat përkatëse akademike dhe klinike të këtij institucioni shëndetësor.
Ky specializim përfaqëson një disiplinë të rëndësishme që lidh drejtpërdrejt psikologjinë me mjekësinë, duke mundësuar një qasje të integruar bio–psiko–sociale në vlerësimin dhe trajtimin e pacientëve.
Përveç punës klinike, Fatime Tairi ka trajnim dhe përvojë në psikoterapi, me orientim në terapinë Gestalt, të cilën e integron në praktikën e saj profesionale duke e përshtatur sipas nevojave individuale të klientëve. Ajo ka përfunduar gjithashtu edukime dhe trajnime të shumta në fushën e psikologjisë klinike, psikodiagnostikës, neuropsikologjisë dhe disiplinave të ndërlidhura.
Një pjesë e rëndësishme e angazhimit të saj profesional përfshin aktivitetet edukative dhe ndërgjegjësuese për shëndetin mental, përmes ligjëratave, punëtorive dhe fushatave informuese, me fokus të veçantë tek adoleshentët dhe komuniteti i gjerë. Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është ulja e stigmës dhe rritja e vetëdijes për problemet dhe çrregullimet mentale në shoqëri.
Paralelisht me angazhimin klinik dhe edukativ, Fatime Tairi ka dhënë kontribut edhe në fushën shkencore, përmes publikimit të hulumtimeve të shumta në revista profesionale dhe pjesëmarrjes aktive në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke synuar zhvillimin dhe afirmimin e psikologjisë mjekësore brenda sistemit shëndetësor dhe akademik në vend.
Përveç përkushtimit profesional, rrugëtimi i saj jetësor bart edhe një dimension të veçantë njerëzor dhe kombëtar. Fatime Tairi është vajza e dëshmorit të kombit, Sulejman Limani, një figurë që ka dhënë jetën për lirinë dhe dinjitetin e popullit, vlera të cilat ajo i reflekton sot në përkushtimin, përgjegjësinë dhe etikën e saj profesionale.
Përfundimi i këtij specializimi nga specialistja e parë e psikologjisë mjekësore në Spitalin Klinik–Tetovë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve të shëndetit mental dhe ofrimit të një kujdesi më cilësor, profesional dhe gjithëpërfshirës për pacientët, duke reflektuar nevojën gjithnjë në rritje për një qasje të integruar në trajtimin e shëndetit mental në vendin tonë.






