“Fati i Kosovës nuk luhet me letra të fshehta”, kush po e do ndarjen e Kosovës me “Non paper”?

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, Daniel Serwer, e sheh anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian si kompromis për njohjen e Kosovës, por sipas tij ajo po kërkon të përfitojë më shumë.

“Kompromisi përfundimtar është i qartë për mendimin tim: Njohja në këmbim të përshpejtimit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Serbia mund ta pranojë këtë marrëveshje tani, por do të presë të përfitojë pak më shumë”, tha Serwer.

Duke folur për “non paper-in” e fundit, Serwer ka thënë se qëllimi është që të ndikohet në dialog.

“Unë nuk e di se nga kush është shkruar ky “non paper”, por mund të imagjinoj se ka pasur qëllim t’i jep kah tjetër procesit të dialogut Kosovë-Serbi”, tha ai.

Duke qenë kështu, pse këto “Non paper” u publikuan pikërisht tani, kur pritet të fillojë dialogu Kosovë-Serbi dhe sa do të mund të ndikojnë ato në këtë dialog?

Për këtë, kanë komentuar njohës të çështjeve politike.

“Fati i Kosovës i vendosur me armë dhe gjak”

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se më nuk duhet të testohet “non-paper”, sepse Kosova nuk mund të cenohet, madje as liria dhe pavarësia e saj, sepse fati i Kosovës është vendosur me luftë.