Për pesë vite, mbi dyfish janë rritur shpenzimet e qytetarëve, tregon analiza e Lidhjes së Sindikatave. Në vitin 2021, për një familje katëranëtarëshe, shpenzimi për të kaluar muajin ishte pothuajse 34.000 denarë, ndërsa paga minimale ishte 15.194 denarë dhe ajo mesatare 28.438 denarë. Nëse bëjmë krahasim me vitin 2026, vlera rritet në 68.797 denarë, paga minimale është 26.046 denarë, ndërsa paga mesatare 46.617 denarë.
| 2021 | 2026 | |
| Shporta Sindikale | 33 976 den. | 68 797 den. |
| Paga minimale | 15 194 den. | 26 046 den. |
| Paga mesatare | 28 438 den. | 46 617 den. |
| Paga të nevojshme minimale | 2.2 | 2.6 |
| Paga të nevojshme mesatare | 1.1 | 1.4 |
Lupço Radovski nga Lidhja e Sindikatave, për Alsat thotë se për pesë vite standardi i qytetarëve është ulur ndjeshëm, ndërsa paga ka shënuar rritje jo të vazhdueshme.
„Duke i ndjekur shpenzimet e jetesës, qytetarët nga 2021 deri në 2026 janë më të varfër dhe nuk shohim se kjo do të ndryshojë sepse çmimet po rriten, ndërsa çdo masë deri tani nuk ka dhënë rezultate. Mendoj se duhet të ndërmerren hapa konkretë dhe më në fund të ulet në Këshillin Ekonomiko-Social dhe të bisedohet se si më tej do të përmirësohet standardi i qytetarëve dhe të ketë stabilizim të çmimeve,“ tha Lupço Radovski, LSM.
Në periudhën nga 2021 deri në 2026, shporta minimale sindikale është rritur për 102,5%, paga minimale për 71,4%, ndërsa paga mesatare për 64,9%, që tregon se kostot e jetesës rriten më shpejt se të ardhurat. Sipas analizave, në vitin 2021 duheshin 2,2 paga minimale ose 1,1 paga mesatare për të mbuluar shpenzimet që ka një familje katëranëtarëshe, ndërsa në 2026 2,6 minimale ose 1,4 mesatare.
| 2021 | 2026 | Ndryshimi | |
| Shporta Sindikale | 100 | 202.5 | ▲ 102.5% |
| Paga minimale | 100 | 171.4 | ▲ 71.4% |
| Paga mesatare | 100 | 163.9 | ▲ 63.9% |
| Paga të nevojshme minimale | 2.2 | 2.6 | ▲ 0.4 |
Radovski konsideron se është e nevojshme rritje urgjente fillimisht e pagës minimale, pastaj e të gjitha pagave të tjera, pasi inflacioni i ka “ngrënë” ato aktualet.
„Vazhdimisht çmimet rriten, standardi bie, paga minimale është rritur për 1667 denarë, ndërsa nëse e shohim vetëm ushqimin nga janari deri në prill apo maj është rritur për 3370 denarë, kështu që ajo rritje që ishte në mars tashmë është ‘ngrënë’ nga inflacioni, apo nga çmimet e rritura që kemi pasur deri tani. Sado që ulen çmimet, në fillim ato janë shumë të larta,“ deklaroi Lupço Radovski, LSM.
Për pesë vite standardi jetësor dhe fuqia blerëse janë ulur, dhe për këtë arsye gjendja ekonomike është shumë më e keqe në krahasim me vitin 2021. /Alsat.mk





