Pas aksidentit fatal në Surdulicë, rriten tensionet: familje shqiptare përballet me kërcënime për dëbim nga qyteti
Dy ditë pas vdekjes së 40-vjeçarit Rastko Joviq nga Surdulica, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në rrugën Vladiçki Han – Surdulicë, pranë fshatit Zhitoragjë, situata në qytet është tensionuar ndjeshëm. Ngjarja tragjike ka nxitur protesta dhe reagime të ashpra, ndërsa një familje shqiptare po përballet me kërcënime dhe thirrje për dëbim, shkruan preshevacom.
Qytetarë të shumtë u mblodhën në qendër të Surdulicës për të kërkuar drejtësi dhe ndëshkim të rreptë për shoferin që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
Sipas pretendimeve të disa protestuesve, i riu që drejtonte një automjet tip “Mercedes” ka lëvizur me shpejtësi shumë më të lartë se ajo e lejuara, madje sipas informacioneve jozyrtare deri në trefishin e limitit, kur u përplas me automjetin “Toyota” të viktimës.
Gjatë protestës pati edhe incidente. Një lokal që në rrjete sociale lidhej me të riun e dyshuar u qëllua me vezë, ndërsa turma shprehu revoltën me fishkëllima dhe thirrje kundër asaj që e cilësuan si “papërgjegjësi dhe tolerim të padrejtësive prej vitesh”, përcjell preshevacom.
Mediat raportojnë se shoferi i ndaluar është një 20-vjeçar me inicialet B.F. nga Prizreni, megjithëse autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e tij.
Prokuroria Themelore Publike në Vladiçki Han ka bërë të ditur se i ndaluari do të merret në pyetje dhe se do të vendoset për masën e paraburgimit. Sipas njoftimit, janë kryer dy analiza gjaku dhe urine, ndërsa rezultatet priten pas përfundimit të ekspertizës. Institucionet theksojnë se po hetohen të gjitha rrethanat e aksidentit, ku zyrtarisht janë përfshirë dy automjete.
Megjithatë, protesta për drejtësi mori një kthesë shqetësuese. Në rrugë dhe në rrjete sociale janë dëgjuar thirrje për linçim dhe dëbim të një familjeje shqiptare që lidhet me të dyshuarin. Sipas raportimeve, një furrë buke në pronësi të familjarëve të tij është qëlluar me gurë, ndërsa retorika me tone shoviniste ka shtuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Ngjarja ka hapur debate të forta për sigurinë, përgjegjësinë individuale dhe rrezikun e kolektivizimit të fajit mbi baza etnike. Autoritetet nuk kanë njoftuar për masa konkrete lidhur me kërcënimet ndaj familjes, ndërsa qyteti mbetet në pritje të vendimeve të organeve të drejtësisë./Presheva.com



