Gjumi shpesh i merr me barkun bosh, për më tepër se një vit nuk kanë as energji elektrike, ndërkohë që të hyrat mujore kapin shifrën 7200 denarë, ndërsa dy fëmijët më të vegjël janë me nevoja të posaçme. Kjo është historia e familjes Nuhiu nga Shkupi. Ata i gëzohen mëngjeseve, pasi dielli është burimi i dritës që u mungon netëve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Një llambë dhe një qiri janë gjithçka që i shoqëron gjashtë anëtarët e familjes në netët e gjata të dimrit. Kryefamiljari Eshref, është invalid dhe nuk punon tashmë 4 vjet, të ardhurat e vetme janë ndihmat sociale që nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet për kushtet elementare për jetë. Nuk kanë nevojë për kulm mbi kokë, pasi banesa në të cilën jetojnë është në pronësi të tyre, ajo për të cilën kanë nevojë kjo familje janë mjete për sigurimin e ushqimit, veshmbathjeve dhe energjisë elektrike.
Eshref Nuhiu, Kryefamiljarë
“Qe një vjet jena pa rrymë, e dyta s’mund ta arrijmë më asgjë, fëmijët kërkojnë, vetë jam invalid s’mund ta arrijmë me asgjë…..Banesa është e jona, por na ka mbulu katastrofa, pa ly pa asgjë, nuk di çfarë të them as pa bukë as me bukë. Kush ka mundësi për riza të Zotit, ka fëmijë dikush edhe vetë, po t’i flejë fëmiu pa bukë a është mirë, pikë së pari mbrëmë kanë flejt pa bukë. Këta të dy kanë flejt pa buk. Na ka mbulu skamja, na ka mbulu fukarallëki, të gjitha të këqijat, shoqja është e sëmurë prej këmbëve, vet jam ashtu, ai djalë edhe ajo vajzë, që janë të shëndoshë, këta të dy nuk janë të shëndoshë. Këta m’i kanë përjashtuar nga shkolla, pasi nuk dijnë. Ky ra u verbu, le të shkojnë le të pyesin në spital shtetëror, ky nuk sheh më me këtë sy. Nuk ka pa natën tu shku në toalet, për shkak se nuk ka pas rrymë. Kam shku disa herë, më kë dhënë ndonjë shoq para, ramazan bajram i kam kaluar me qirinj”.
Ndërkohë që i ati shpjegonte për gjendjen e rënduar të familjes, dy fëmijët më të mëdhenj, Artani 12 vjeçarë dhe Djellza 11 vjeçare u larguan nga hapësirat ku ndodheshim dhe në çdo pauzë gjatë deklaratës së të atit, nga dhoma ngjitur, dëgjoheshin dënesat e tyre.
Eshref Nuhiu, Kryefamiljarë
“Djali mundohet, shkon në shitore, herë i japin e herë jo, mbrëmë ja ka dhënë 1 qiri dhe një bukë, gjashtë anëtarë 1 qiri edhe një bukë.”
Nëna Shengyl e ka shumë të vështirë kur duhet të gatuajë për familjen, ndërkohë që mungojnë kushtet elementare për gatim. Por për të është shumë e vështirë kur sheh bineqtë Drenin dhe Shaipin vetëm 9 vjeçarë, të cilët kanë nevojë për logopedë, por që nuk mundet të ua sigurojë.
Shengyl Nuhiu, Kryefamiljare
“Vështirë e kam mjaft, se lypin, nuk e kam, qajnë, nuk di çfarë të them, ishte rëndë. Qe 4 vjet, e tepër….. I kam pas në logoped, nuk kam mundur t’i paguajë, njërin e kam ndalë, para kohe kanë lind, me të folurit kanë problem, belbëzojnë, nuk i dallojnë gjërat as ngjyrat as asgjë nuk dijnë. Janë 9 vjeçarë.. Me një ndihmë nuk po mundem as për fëmijët tjerë të siguroj. Kush ka mundësi e lus, nëse ka mundësi dikush me më ndihmu, Allahu e shpërbleftë edhe atë, e Zoti ua jep edhe atyne.”
Familja Nuhiu kërkon nga njerëzit humanë për ndihmë, ushqim, veshmbathje dhe mundësi që mbrëmjeve të mos shikojnë nëpër dritare dritat e fqinjëve./SHENJA/