Familja 6 anëtarëshe nga Maqedonia pëson aksident në autostradën Suboticë – Novi Sad

Një aksident i rëndë ka ndodhur dje pasdite në autostradën Suboticë – Novi Sad në Vojvodinë, ku është aksidentuar një familje 6 anëtarëshe mërgimtarësh që nga Belgjika po udhëtonte për pushime në Maqedoninë e Veriut.

Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Baçka Topollës, ku janë përplasur dy makina, ndërsa janë lënduar 9 veta.

Nga njësia policore në Suboticë njoftuan se aksidenti ndodhi kur njëra nga makinat BMW me targa angleze nga shpejtësia e pakontrolluar goditi nga prapa makinën tjetër “Opel Zafira” me targa belge, në të cilën ishin gjashtë familjarët shqiptarë që po udhëtonin nga Belgjika në Maqedoni.

Nga kjo goditje, njëra nga makinat ka humbur drejtimin dhe është rrokullisur.

Por fatmirësisht pesë anëtarët e familjes, kanë përfunduar me lëndime të lehta, ndërsa vetëm njëri ka pasur thyerje të këmbës. (INA)