Fishekzjarrë me flamurin amerikan, slogane patriotike dhe madje edhe me mesazhin “Make America Great Again”.
Në prag të festimeve për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, fabrikat kineze të fishekzjarrëve po punojnë me ritme të larta për tregun amerikan, pavarësisht tensioneve tregtare mes dy superfuqive botërore.
Lexo edhe:
Pasioni për zogjtë i kushtoi jetën, historia e ‘pacientit zero’ të Hantavirusit
Në qytetin Liling të provincës Hunan, kompanitë prodhuese thonë se viti 2026 ka sjellë rikthim të porosive nga SHBA, pas goditjes së rëndë që morën nga tarifat e larta doganore të vendosura një vit më parë.
“Prillin e vitit të kaluar patëm një ndikim shumë të madh. Me tarifat 145%, askush nuk mund ta përballonte. Kishim shumë kontejnerë të bllokuar në porte dhe magazina. Në fund, koston e paguajnë konsumatorët”, u shpreh Wilson Lam, menaxher i “Black Scorpion Fireworks”.
Kina prodhon rreth dy të tretat e fishekzjarrëve që shiten në botë.
Një pjesë e madhe e tyre vijnë nga korridori industrial i provincave Hunan dhe Jiangxi, ku mijëra punëtorë vazhdojnë prodhimin pothuajse artizanal.
Punëtorët mbushin tubat me barut, kontrollojnë manualisht çdo fishekzjarr dhe paketojnë produktet për eksport drejt SHBA-ve, Europës dhe tregjeve të reja në Azi Qendrore.
Kompanitë thonë se rikthimi i porosive amerikane këtë vit lidhet me zbutjen e përkohshme të tensioneve tregtare dhe kërkesën e lartë për festimet e 4 korrikut.
“Ky është 250-vjetori i SHBA-ve dhe është një moment i madh. Prisnim rritje të shitjeve me 20 deri në 30 për qind. Situata është më e mirë se vitin e kaluar dhe besojmë se shitjet do të jenë të paktën 15 për qind më të larta”, tha Lam.
Megjithatë, jo të gjithë prodhuesit kinezë janë optimistë.
Disa fabrika kanë nisur të largohen gradualisht nga tregu amerikan, duke kërkuar klientë të rinj në vende të tjera për të shmangur pasiguritë politike dhe tarifat.
Themeluesi i fabrikës Shengding Fireworks thotë se marrëdhëniet tregtare me SHBA-të ndryshuan pas rikthimit të Donald Trump në skenën politike amerikane.
“Përpara vitit 2016 nuk kishim probleme me eksportet drejt SHBA-ve. Amerikanët respektonin kontratat. Por pas tarifave të vendosura nga Trump, kompanitë dhe autoritetet lokale nisën të orientohen drejt tregut vendas dhe vendeve të tjera”, u shpreh Liu Fangguo, themelues i “Shengding Fireworks Factory”.
Një tjetër sfidë për industrinë kineze të fishekzjarrëve janë edhe masat e reja të sigurisë, pas disa shpërthimeve fatale në fabrikat dhe depot e shitjes.
Prodhuesit thonë se kontrollet e shtuara kanë ngadalësuar prodhimin dhe kanë rritur kostot.
“Standardet e reja të sigurisë dhe aksidentet e fundit kanë pasur ndikim të madh në industrinë tonë”, shtoi Fangguo.
Në këtë klimë pasigurie, disa kompani po orientohen drejt tregjeve alternative.
Fishekzjarrët që dikur shkonin kryesisht drejt SHBA-ve, tani eksportohen edhe në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.
“Në situatën aktuale ndërkombëtare, prioritet mbetet forcimi i tregjeve ekzistuese, por po zgjerohemi edhe në vende fqinje si Kazakistani dhe Gjeorgjia”, tha Kelly Chen, menaxhere shitjesh.
Megjithatë, për shumë prodhues në Kinë, tregu amerikan mbetet jetik.
Mes kutive me shqiponja amerikane, Statujën e Lirisë dhe sloganet politike amerikane, bizneset kineze shpresojnë që tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit të mos kthehen sërish në luftë tarifash.
Ndërsa qielli amerikan përgatitet të ndizet nga fishekzjarrët e 4 korrikut, një pjesë e madhe e tyre vazhdon të prodhohet mijëra kilometra larg, në fabrikat e Kinës jugore.
© SYRI.net



