Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar të mërkurën se Evropa nuk është më qendra kryesore e gravitetit të Uashingtonit dhe ndryshimi është strukturor, jo i përkohshëm.
Deklarata e saj është bërë ndërsa udhëheqësit evropianë po përpiqen të përshtaten me qasjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj marrëdhënieve transatlantike.
Duke folur në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, Kallas ka shtuar se ndërsa BE-ja ende kërkon lidhje të forta transatlantike dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleate, Evropa duhet të përshtatet me realitetet e reja dhe “NATO-ja duhet të bëhet më evropiane për të ruajtur forcën e saj”.
“Rreziku i një kthimi të plotë në politikën e fuqisë shtrënguese, sferat e ndikimit dhe një botë ku fuqia bën të drejtën, është shumë real”, ka deklaruar Kallas.



