Zyrtarët evropianë dhe ukrainas kanë akuzuar të mërkurën presidentin rus, Vladimir Putin, se ka shfaqur interes të rremë në përpjekjet për paqe, pasi pesë orë bisedime me të dërguarit e SHBA-së në Moskë nuk dhanë shenja të një përparimi, megjithëse negociatat pritet të vazhdojnë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka thënë se Putini duhet të “ndalojë së humburi kohën e botës”.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ka thënë se udhëheqësi rus “duhet t’i japë fund mburrjeve dhe gjakderdhjes dhe të jetë gati të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të mbështesë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” për Ukrainën dhe në interes të sigurisë evropiane.
“Ajo që shohim është se Putini nuk ka ndryshuar asnjë kurs. Ai po shtyn më agresivisht në fushën e betejës”, ka thënë ministri i Jashtëm Estonez, Margus Tsahkna.
“Është mjaft e qartë se ai nuk dëshiron të ketë asnjë lloj paqeje”, ka deklaruar Margus.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, pati pothuajse të njëjtin qëndrim.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë lëshim nga ana e agresorit, që është Rusia, dhe mendoj se masa më e mirë për ndërtimin e besimit do të ishte të fillohej me një armëpushim të plotë”, u ka thënë ajo gazetarëve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se partnerët e Ukrainës do të vazhdojnë t’i dërgojnë ndihmë ushtarake për të siguruar që presioni ndaj Moskës të mbahet.
“Bisedimet e paqes janë duke vazhduar. Kjo është mirë”, ka thënë Rutte.
“Por në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që, ndërsa ato zhvillohen dhe nuk jemi të sigurt se kur do të përfundojnë, Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm për të vazhduar luftën, për t’u kundërpërgjigjur rusëve. Por edhe në pozicionin më të fortë të mundshëm kur bisedimet e paqes të arrijnë vërtet në një pikë ku ata të ulen në tryezë”, ka shtuar ai.
Putini është takuar të martën vonë në Moskë me të dërguarin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner. Takimi ishte një hap tjetër në një përpjekje të ripërtërirë të SHBA-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, që ka qenë e pamundur që nga rikthimi i Trumpit në detyrë në janar.
Palët ruse dhe amerikane kanë rënë dakord të mos zbulojnë përmbajtjen e bisedimeve, por të paktën një pengesë e madhe për një zgjidhje mbetet, nëse Rusia do t’i mbajë pjesët e Ukrainës që ka pushtuar që nga pushtimi i shkurtit 2022.
Yuri Ushakov, këshilltar i lartë i Putinit, u ka thënë gazetarëve se “deri më tani, nuk është gjetur një kompromis” për çështjen e territorit, pa të cilin, tha ai, Kremlini nuk sheh “asnjë zgjidhje për krizën”.
Ukraina në anën tjetër ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga territori që Rusia ka pushtuar.
Ushakov e ka quajtur bisedën me zyrtarët amerikanë “mjaft të dobishme, konstruktive, mjaft thelbësore”, por ka shtuar se u diskutua korniza e propozimit të paqes të SHBA-së dhe jo “formulime specifike”.
Përpara bisedimeve në Kremlin, Putin ka kritikuar ashpër rolin e Evropës në negociata, duke akuzuar vendet në kontinent se duan të sabotojnë një marrëveshje.
Ai ka deklaruar se megjithëse nuk dëshiron të luftojë Evropën, “nëse Evropa papritmas dëshiron të zhvillojë një luftë me ne dhe e fillon atë, ne jemi gati menjëherë”.




