Evropa ballafaqohet me temperatura të larta, zjarre e thatësira – temperaturat arrijnë deri në 43 gradë celsius

Evropa është duke vuajtur thatësirën e madhe, ku temperaturat po arrijnë deri në 43 gradë celsius, duke bërë që shumë zjarre të shpërthejnë në Itali, Portugali dhe Spanjë, por të njëjtën kohë këto shtete po vuajnë nga mungesa e ujit.

Kontinenti i Evropës prej javësh është prekur nga i nxehti “afrikan”, e këtë më së miri e dëshmon se shumë lumenj janë tharë, siç është rasti i Serchios në Tuscany të Italisë, transmeton Telegrafi.

Autoritetet spanjolle dhe ato portugeze kanë angazhuar pjesëtarë shtesë të ekipeve të zjarrfikësve, që të përballen me vatrat e shumta të zjarreve që kanë shpërthyer në zonat malore, si pasojë e temperaturave të larta.

Qytetarë të shumtë janë këshilluar në shumë vende të Evropës që të shmangin vizitat në zonat malore, ku po shpërthejnë zjarret nga temperaturat e larta.

Madje u është kërkuar që të mos i ekspozohen rrezeve të diellit, në orët kur dielli është më i fortë dhe mund t’ju shkaktojë probleme serioze në shëndet. /Telegrafi/