Ekipet e Elektrodistribuimit dje dolën në terren në Haraçinë dhe pa pengesa filluan me realizimin e fazës së parë të planit, informojnë nga EVN Maqedoni.
“Në këtë fazë është duke u bërë inspektim në rrjet pas çka do të pasojë rikonstruimi për përmirësimin e furnizimit dhe mënjanimit të defekteve që ishin rezultat i kyçjeve ilegale”, thonë nga EVN.
Rikonstruimi, siç theksojnë, do të zgjasë me muaj e madje edhe mbi një vit.
“Realizimi i plotë i planit do të thotë furnizim i pandërprerë dhe thuajse pa defekte për banorët e Haraçinës”, potencojnë nga EVN Maqedoni.
Pas ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike javën e kaluar në Haraçinë për shkak të strëngarkimit të trafostacionit nga përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi informoi se në koordinim me kryetarin e komunës dhe udhëheqësinë e EVN-së është gjetur zgjidhje e përkohshme për çështjen e furnizimit me energji elektrike.
Bekteshi paralajmëroi se ekipet e EVN Maqedoni nga fillimi i kësaj jave në mënyrë të papenguar punojnë në terren në Haraçinl dhe në këtë mënyrë do të fillojë të paguhet energjia elektrike në këtë komunë por edhe në vende të tjera.
Ai paralajmëroi se do të kërkojë nga MPB-ja si edhe institucionet e tjera të veprojnë në të gjitha komunat ku ka humbje të mëdha të energjisë elektrike, pasi sipas tij, ata janë në barë të të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike.






