Europe House në Strumicë mbush tre vjet

Ambasadori David Geer, Shef i Delegacionit të Bashkimit Europian mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e ditëlindjes së 3-të të Europe House në Strumicë.

Aktivitetet e ditëlindjes së Europe House në Strumicë nisën në Galerinë e Qytetit me një panel diskutimi për zhvillimin kuptimplotë të karrierës duke ndjekur ëndrrat personale. Viti Europian i Aftësive shtrihet nga viti 2023 deri në 6 muajt e parë të vitit 2024 për të nënvizuar rëndësinë e vendosjes së synimeve afatgjata, eksplorimit të mundësive të zhvillimit profesional dhe fitimit të përvojës së re të punës. Qëllimi është të aktivizohen më shumë njerëz për tregun e punës, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, sidomos ata që nuk kanë arsim, punësim apo trajnim. Më pas, bar kafe “Vtornik” organizoi një seancë muzikore me performancë live të muzikës Jazz.

Europe House Strumicë funksionon si “vendi i gjeneratës së re” tash e tre vjet. Që nga hapja në shkurt të vitit 2021, rreth 23,900 pjesëmarrës morën pjesë në pothuajse 500 ngjarje. Nga këto, 200 ngjarje u organizuan në vitin 2023 duke mbledhur 6,885 pjesëmarrës. Europe House funksionon si një qendër rinore për rajonin Lindor dhe Juglindor duke ofruar një vend të sigurt për të rinjtë nga të gjitha sferat e jetës.

Rrjeti i Europe House i krijuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian për momentin ekziston në Shkup (2019), Kriva Pallankë (2021), Manastir dhe Veles (2023). Dy Europe House të reja – në Strugë dhe Tetovë po i shtohen rrjetit tashmë në fillim të vitit 2024, duke kompletuar kështu rrjetin e shtatë Europe House të shpërndara në mënyrë të barabartë në mbarë vendin.