Europa këtë herë nuk po merr distancë nga Donald Trump. Sulmi i koordinuar me Izraelin ndaj Iranit shqetëson BE-në dhe Britaninë e Madhe për pasojat e mundshme, por askush nuk ndërhyn në mbrojtje të Teheranit dhe Khameneit.
Aleatët, përveç kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe qeverisë italiane siç konfirmoi zv/kryeministri Matteo Salvini, ishin paralajmëruar nga Uashingtoni. Jo për çdo detaj, por qeveritë e Londrës, Parisit dhe Berlinit, së bashku me Brukselin, e dinin se kur do të fillonte operacioni. Nuk kanë tentuar ta ndalojnë, sepse nëse nuk ia kishin arritur “ndërmjetësit” e Omanit dhe Katarit, nuk mund t’ia kishte arritur as Europa. Megjithatë, nuk pati përfshirje aktive në sulm; as bazat britanike nuk morën pjesë direkt, vetëm më vonë për mbrojtjen ajrore në Gjirin Persik.
Deklaratat zyrtare tregojnë qartë se Trump (përveç Spanjës) nuk përballet me kritika europiane.
“Dënojmë me forcë sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit. Irani duhet të ndalojë sulmet ushtarake të pakujdesshme”, deklaroi E3 ku përfshihen, Franca, Gjermania dhe Britania.
Tre kryeqytetet shtuan se nuk morën pjesë në sulme, por janë në kontakt të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të dhe Izraelin. Zëdhënësi i Kancelarit gjerman Merz konfirmoi se qeveria gjermane ishte informuar më parë, ndërsa presidenti Macron e mohoi këtë.
Edhe drejtuesit e institucioneve europiane, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, shmangin kritikat ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe akuzojnë Teheranin për bombardimet mbi Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Situata në Iran është shumë shqetësuese. Riafirmojmë angazhimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”. Sipas tyre, “siguria bërthamore është thelbësore”, dhe BE ka vendosur sanksione të gjera ndaj regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare, duke promovuar gjithmonë përpjekje diplomatike për të adresuar programet bërthamore dhe balistike. Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, thekson se Irani “paraqet një kërcënim serioz për sigurinë globale”.
Megjithatë, liderët europianë nuk fshehin shqetësimin për pasojat e mundshme dhe kërkojnë një zgjidhje diplomatike për de-eskalim. Dy janë pikat kryesore të alarmit:
• Terrorizmi, thirrja e pasdaranëve ngre frikën e sulmeve ndaj sinagogave dhe ambasadave izraelite në Evropë. Shërbimet e sigurisë italiane, franceze dhe gjermane kanë rritur vigjilencën ndaj këtyre objektivave.
• Qëllimet e SHBA dhe Izraelit duket se ndryshojnë për ndryshimin e regjimit. SHBA janë më të kujdesshëm për pasojat e mundshme të paqëndrueshmërisë rajonale dhe për nevojën për kontroll aktiv të vendit për stabilizim.
Për BE-në, nëse qëllimi i Shtëpisë së Bardhë është t’i japë një mësim regjimit iranian, atëherë kjo do të ishte e pranueshme. Përndryshe, do të lindin sfida për sigurinë europiane dhe të ardhmen e Ukrainës, pasi një angazhim i madh amerikan në Iran do të nënkuptonte tërheqje nga mbrojtja e Kievit.
Për të analizuar situatën, sot do të mblidhen ministrat e Jashtëm të BE-së në një videokonferencë, pas takimit të Coreper, komiteti i 27 ambasadorëve të vendeve anëtare. Nesër, von der Leyen ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit Europian.
/tvklan.al



