“Eurokompozit”: Punëtorët pa asnjë pako ndihmë nga Qeveria

Pesëdhjetë të punësuar në kompaninë në Prilep “Eurokompozit”, me shumë gjasë e vetmja në vend në pronë të plotë të shtetit, prej një viti e gjysmë nuk shkojnë në punë, nuk marrin paga, nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe nuk janë të përfshirë në pakot e Qeverisë për ndihmë dhe sanim të dëmeve nga pandemia korona. Zv/Kryeministri Fatmir Bytyqi pranoi se menaxhmenti i kompanisë nuk ka arritur ta ristartojë prodhimtarinë, duke u dhënë shpresë të punësuarve se në dy muajt që vinë do të gjendet zgjidhje.

Fabrika në Prilep që dikur ka qenë prodhues strategjik i pajisjeve të sigurisë, jelekëve, helmetave, pajisjeve mbrojtëse për ushtrinë ose policinë, për vite me rradhe kërkon shpëtim nga autoritetet, pasi ka mbetur pothuajse e fundit në pronë shtetërore, pa plan për punë dhe pa stabilitet për të punësuarit. 100 të punësuar në vitin 2019 u larguan si tepricë teknologjike, ndërsa 48 të tjerëve, Kryeministri që në dhjetor të vitit 2019 u premtoi shitje të sigurtë te investitor i huaj.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Ditë ose një muaj janë në pyetje për marrjen e vendimeve, dëshiroj të njoftoj në mënyrë transparente, ka ofertë nga një kompani turke, ka ofertë edhe nga një kompani serbe, të dyja janë kredibile, prodhojnë armë, janë të njohura ndërkombëtarisht.”

Shitja nuk pati sukses, Qeveria në seancën e fundit e ndryshoi përfaqësuesin e saj në Kuvendin e aksionerëve, duke pranuar se menaxhmenti ka qenë i pasuksesshëm.

FATMIR BYTYQI, ZV/KRYEMINISTËR

“Do të duhet të fillojnë procedurat për ristrukturim, përkatësisht përgatitje për shitje eventuale dhe riprogramim të gjithë ndërmarrjes. Për fat të keq ata në periudhën e kaluar kanë qenë të përfshirë në disa pako, por nuk ka mundësi që gjithmonë t’u përgjigjemi kërkesave siç mendojnë ata. Punojmë në mënyrë aktive së bashku me Ministrinë e Ekonomisë dhe me siguri në dy muajt që vinë do të kemi rezultat për zgjidhjen përfundimtare të problemit në këtë ndërmarrje.”

Për sindikatën në “Eurokompozit” ky është vetëm një tjetër në listën e gjatë të premtimeve.

ROBERT BOGDANOSKI, SINDIKATA “EUROKOMPOZIT”

“Unë e demantoj, e them se nuk është e vërtetë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë pako, nëse ka menduar për pakot e pandemisë Covid. Të punësuarit janë në prag të ekzistencës, sepse qe një vit e gjysmë nuk kanë asnjë të ardhur, vetëm para Vitit të Ri kemi marrë një pagë. Nuk i kanë paguar faturat, përmbaruesit u trokasin në dyer, shëndetësi nuk kemi, gjithçka mbulojmë privatisht, do të thotë të gjitha paratë që i kanë pasur në buxhetin familjar të punësuarit i kanë shpenzuar për shkak se nuk kemi sigurim shëndetësor.”

Disa qeveri në Maqedoninë e Veriut për vite me rradhë e bartin problemin me “Eurokompozit”, ndërsa 48 të punësuarit e mbetur, tani nën presionin e krizës korona vazhdojnë të presin të kthehen në punë që t’i marrin ta ardhurat e mbetura të cilat për momentin i shohin vetëm në letër. /KlanMacedonia