Eurokomesarja e BE-së Kos: Më shumë reforma për të marrë fondet nga “Plani i Rritjes”

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në samitin Plani i rritjes në Tiranë, “Rruga jonë drejt BE” tha se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj dhe që blloku evropian ka gabuar në të kaluarën që nuk ka punuar në këtë drejtim. Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka provuar asnjëherë reforma që kanë këtë shkallë transformimi me 490 mln euro të lëvruara që përfshijnë të gjitha fushat. Ai shtoi se rajoni po kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës. Ndërkohë kryeministri Mickoski tha se Maqedonia e Veriut mbetet e orientuar vendosmërisht drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, transmeton Portalb.mk.

“Shtëpia e juaj, Evropa po ju pret. Ju jeni pjesë e Evropës, ne vetëm duhet ta bëjmë këtë me procedurë institucionale”, tha Kos, në një tryezë të përbashkët diskutimi mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe saj, lidhur me Planin e Rritjes së BE-së për këtë rajon.

Kos ka rikujtuar se Plani i Rritjes ka dy vite që është formalizuar dhe që kanë mbetur dhe dy vjet për ta finalizuar ndarjen e gjithë fondeve të parapara në vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Duke folur në këtë drejtim, ajo e ka përmendur se dy shtete ende nuk e kanë nisur procesin e reformave, duke iu referuar Kosovës dhe Bosnjës-Hercegovinën, andaj ka bërë thirrje që të punojnë më shumë.

“Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi nga rundi i dytë i raportimit, skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen pothuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde prej të cilave duhet të përfitojnë qytetarët tuaj, me të cilat mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”, ka thënë mes tjerash Kos, duke iu drejtuar të gjitha vendeve.

Sipas Ramës nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor nuk po lutet që të hyjë në BE por po dëshmon çdo ditë se e meriton të jetë pjesë e unionit.

“Rajoni nuk ka provuar asnjëherë reforma në këtë shkallë në kuadër të planit të rritjes, janë 490 mln euro të lëvruara që prekin financat publike, energjinë dhe të gjitha fushat, e mbyllim me reforma që janë transformuese. Ndërtimi i arterieve të Evropës në korridorin 8 që është kritike edhe për sigurinë në Evropë dhe është kthyer në korridor sigurie për NATO. Është një rajon që kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës. Evropa është diçka që po e ndërtojmë, Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere, gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë. Ne nuk po lutemi të hyjmë në BE, po provojmë çdo ditë se jemi gati”, tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se vendi mbetet i orientuar vendosmërisht drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal.

“Ky takim i rëndësishëm përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të thelluar dialogun dhe për të forcuar përpjekjet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian. Vendi ynë mbetet i orientuar vendosmërisht drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, si shtylla kryesore të vizionit tonë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të begatë”, tha Mickoski me mbërritjen e tij në Tiranë.

Në Samitin në Tiranë marrin pjesë liderë nga Ballkani Perëndimor, komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos, si dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian. Samiti do të përqendrohet në Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe integrimin e rajonit në Tregun e Përbashkët të BE-së.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryeministri Mickoski pritet të mbajë fjalim në panel-diskutimin me temë “Përmbushja e detyrimeve të përbashkëta, rezultatet dhe përshpejtimi”, ku do të prezantojë angazhimet dhe prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, si dhe masat për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Samiti mbledh liderë të rajonit dhe përfaqësues të institucioneve evropiane me qëllim diskutimin e dinamikës së zbatimit të reformave dhe përshpejtimit të rrugës drejt Bashkimit Evropian.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. 

Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.