Pasuritë natyrore dhe parqet kombëtare të Maqedonisë së Veriut mund të shndërrohen në një potencial të fuqishëm për turizmin dhe zhvillimin ekonomik, vlerësoi eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, Thomas Waitz.
Duke folur në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE–Maqedonia e Veriut, Waitz theksoi se ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, përmes valëve të të nxehtit, thatësirave dhe zjarreve.
Sipas tij, krahas reduktimit të emetimeve, vendet duhet të përshtaten me ndryshimet klimatike, të cilat tashmë po ndikojnë në shëndetin e njerëzve, bujqësi, transport dhe infrastrukturë.
Waitz veçoi Maqedoninë e Veriut si një vend me potencial të madh për turizmin natyror dhe zhvillimin e ekonomive lokale, falë natyrës dhe parqeve kombëtare.
Në takim, deputetja Dragana Arsova foli për përafrimin e legjislacionit mjedisor me standardet e BE-së. Ajo bëri të ditur se rrjeti për monitorimin e ajrit është zgjeruar në 23 stacione automatike, ndërsa janë identifikuar 24 zona potenciale për rrjetin “Natura 2000”, që mbulojnë rreth 12% të territorit.
Gjithashtu po përgatitet Ligji i ri për Natyrën, ndërsa Propozim-ligji për Veprimin Klimatik parashikon mekanizma për monitorimin e emetimeve dhe krijimin e kushteve për arritjen e neutralitetit klimatik në afat të gjatë.





