Eurodeputeti Reuten i reagon Lajçakut: Pse po i bëhet thirrje vetëm Kosovës?

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka pyetur emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se “pse po i bëhet thirrje vetëm Kosovës?”.

Në Komision Evropian të martën janë paralajmëruar masa ndaj Kosovës. E Lajçak tha se “eskalimi po vazhdon dhe po shihen veprime të dhunshme”.

Reuten të martën i ka bërë pyetje Lajçakut se pse kurrë qasja në dialog “s’ka qenë e balancuar”.

“A mund ta shpjegoni se pse mbi një dekadë, nuk kemi marrë një qëndrim më të fortë ndaj dikujt që e ka kthyer eskalimin e deeskalimin në një lloj arti. Së fundi, pas mosnënshkrimit të marrëveshjes, duke u kthyer në Beograd, z. Vuçiq fyu në parim marrëveshjen e arritur. Disa ditë më vonë një komisioner shkon në derë me 600 milionë euro. Ky është sinjal që nuk na duhet kur kemi të bëjmë me autokrat”, ka thënë Reuten.

Reuten ka thënë se nuk e kupton se po i bëhet thirrje vetëm Kosovës.

“Kurrë nuk ka pasur pikëpamje të balancuar apo reagim të balancuar. Nuk ishte e barabartë. A mund të reflektosh pë reagimin e BE-së në lidhje me kidnapimin e tre policëve kosovarë. Ata janë të lirë, por janë nën akuza dhe ësahtë e papranueshme. Pse nuk u bë thirrje për lirim të menjëhershëm?” – ka pyetur Reuten.

Sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, Reuten ka thënë se duhet të mbahen, por duhet të ketë kushte për këtë.

“Po duhet të ketë zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, por duhet të jenë të lira nga ndërhyrja e Beogradit. Duhet të ketë qartësi se kë të kandidojë, ku të kandidohet, në cilën listë të kandidohet. Është shumë e rëndësishme”, ka thënë Reuten.

Reuten po ashtu i ka quajtur të tmerrshme deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për situatën në Rusi, ku pati rebelim të grupit mercenar Wagner.

Vuçiq përgëzoi presidentin rus Vladimir Putin “për menaxhimin e situatës”.