Eurodeputeti gjerman: Vënia e Asociacionit si parakusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, nuk ishte i drejtë

Eurodeputeti gjerman, Franz Romeo, nuk e sheh të arsyeshme që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të jetë si parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Si anëtar i të Gjelbërve në Parlamentin Europian, ai thotë për Kallxo.com, se në rrethanat në të cilat gjendet Kosova, vënia e Asociacionit si parakusht nuk ishte vendim i drejtë e as mjet i duhur.

Derisa flet për politikën që e ka aplikuar Gjermania në këtë rast në raport me Kosovën, eurodeputeti Romeo konsideron se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE megjithatë nuk është jashtë diskutimeve.

“Duket se Gjermania përmes kësaj mosmarrëveshjeje po përpiqet të mos humbasë Serbinë ndaj Rusisë apo Kinës”- thotë Romeo për kushtëzimin që vuri Gjermania dhe Franca në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës.

Sipas tij, letra e presidentes Vjosa Osmani, kryeparlamentarit Glauk Konjufa dhe kryeministrit Albin Kurti për të zbatuar të gjitha masat që kërkohen nga Kosova pasi të bëhet anëtare e Këshillit të Europës nuk mjafton për shkak se, siç thotë ai, “parakushtet janë më të detyrueshme se garancitë”.

“Megjithatë, nga perspektiva gjeopolitike, një përkushtim më i fortë ndaj Kosovës do të kishte qenë i rëndësishëm”- shtoi ai, duke thënë se shoqëria e Kosovës duhet të përfshihet më fort në procese të tilla.

Një shoqëri e informuar, sipas tij, forcon vullnetin politik dhe rrjedhimisht edhe presionin mbi qeverinë, vendimmarrësit dhe gjithashtu promovon një bashkëpunim më të fortë brenda strukturave sociale.

Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet kishte thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Sipas tij, ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet të caktojnë datë të re për një takim të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje.

Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Por, nga disa shtete Kosovës i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schëarz, më 16.05.2024, i dërgoi letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Letra e Gërvallës nxiti reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit dhe rezultoi se ishte dërguar pa u koordinuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani.

Pasi që Kosova mbeti jashtë agjendës të ministerialit, ministrja Donika Gërvalla- Schwarz, ka thënë se është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare.

Ajo ka deklaruar se letra që i është dërguar KiE-së tashmë e ka humbur relevancën.

Disa vende anëtare të KiE-së, sipas saj, zgjodhën t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kishte thënë për KALLXO.com se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm.

Kryesuesja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Dominique Hasler më 17.05.2024, deklaroi se çështja e Kosovës është përmendur disa herë në deklaratat e ministrave të Jashtëm gjatë mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Në një konferencë për media, ajo konfirmoi se kanë pranuar një letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me rekomandimin për pranimin e Kosovës në KiE, dhe se brenda presidencës po bëhet gjithçka për të avancuar këtë proces.

Ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit theksoi se Komiteti i Ministrave është duke zhvilluar diskutime se si të vazhdohet.

Kurse kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, e cila sot mori Presidencën e Komitetit tha se për çështjen e pranimit të Kosovës në KiE, pyetja nuk është “nëse” por “kur”.

“Pyetja nuk është ‘nëse’ por është ‘kur’- dhe procesi do të vazhdojë”- u shpreh Simonyte.

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.