Në një lëvizje të papritur që ndryshon rrënjësisht kursin e politikës së jashtme, Kryeministri Edi Rama ka sinjalizuar se Shqipëria nuk kërkon më anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, në kontrast të thellë me premtimin kryesor elektoral të 11 majit, ku ai siguroi mandatin e tij duke u zotuar për anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2027.
Më pak se gjashtë muaj pas formimit të qeverisë me këtë mandat, propozimi i ri, i artikuluar së bashku me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, kërkon vetëm përfshirjen në hapësirën Schengen dhe në tregun e përbashkët evropian, duke hequr dorë nga e drejta e votës, posti i komisionerit dhe vendet në Parlamentin Evropian.
E ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv, Ilda Zhulali, Drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, thotë se ky propozim i përbashkët nuk është thjesht vazhdimësi e një aleance për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet, por shihet si një “dorëheqje e përbashkët” nga procesi i integrimit evropian.
Lëvizja interpretohet nga Zhulali, si një manovër taktike nga dy liderë që përballen me kriza të thella të brendshme dhe presion publik në rritje. Në vend që të përballen me kërkesat për përgjegjshmëri në vendet e tyre, ata zgjedhin të paraqesin një “dorëheqje” nga aspirata evropiane, duke u përpjekur të largojnë vëmendjen nga problemet e brendshme.
Në thelb, plani i ri, sipas saj, konsiderohet si një rishfaqje e nismës “Ballkani i Hapur” nën një emër të ri, që disa e kanë pagëzuar si “Euro-Jugosllavia”. Kjo formulë kërkon të sigurojë përfitimet ekonomike të BE-së – aksesin në treg dhe lëvizjen e lirë – pa pranuar asnjë nga detyrimet politike që vijnë me procesin e anëtarësimit.
Aleanca Rama-Vuçiç, e cila në mënyrë të përsëritur ka tentuar të bashkojë interesa që shihen si diametralisht të kundërta, ngre pyetje serioze, sipas Zhulalit, për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rajonit.
Botimi i përbashkët bashkë me Aleksandër Vuçiç, është jo vetëm vazhdimësi e një aleance të hershme mes tyre, që bëhet gjithmonë, hedh hapa të caktuar përpara për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet, por mund ta shohim si një dorëheqje e përbashkët nga procesi i anëtarësimit evropian, anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe ajo që të bën përshtypje më shumë është që secili nga këta të dy është në një krizë të thellë të brendshme dhe qytetarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Serbi, në fakt presin dorëheqjen e secilit, pra të Ramës këtu, meqë po flasim për Edi Ramën, dhe ai nga ana tjetër shkon dhe paraqet dorëheqjen nga anëtarësimi në BE, në Bashkimin Evropian, për të dukur edhe interesant atje.
Megjithatë, kjo është vetëm një lëvizje taktike për të mbajtur gjallë aleancën, për t’i hedhur njëri-tjetrit një gomë shpëtimi, siç e kanë bërë edhe herë të tjera me njëri-tjetrin, që nuk do t’u ofrojë asgjë përveçse një hapësire në një faqe gazete, që nuk do të shërbejë as për të marrë vendime të rëndësishme në dëm të Shqipërisë apo në dëm të vendeve të tjera të rajonit, dhe do të mbyllet po me atë faqe gazete që u publikua. Ajo që është e rëndësishme për shqiptarët është që të ngrenë disa pyetje për ata që ende e kanë të paqartë. Është, pse bëhet kjo gjë tani nga Edi Rama, pikërisht tani? Në emër të kujt e bën ai këtë lëvizje? Sepse këto janë angazhime politike që ai paraqet në emër të shtetit shqiptar dhe në emër të qytetarëve shqiptarë.
Dhe si ka mundësi që pikërisht në këto momente, ai gjithmonë gjen mundësinë për t’i bashkuar interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon me ato të Serbisë, ndërkohë që këto interesa janë në drejtime krejtësisht të kundërta. Këto janë disa pyetje që meritojnë një analizë dhe një vlerësim të posaçëm nga çdo njeri që, thashë, e ka ende të paqartë apo ka patur dyshime deri vonë, edhe ndaj qëndrimeve që ka mbajtur opozita shqiptare, duke e quajtur Edi Ramën ose duke e konsideruar Edi Ramën një njeri që punon kundër interesave të Shqipërisë. Dhe një njeri që ka bërë një nga dëmet më të pashembullta dhe më të tmerrshme në historinë politike shqiptare ndonjëherë. Kështu që, nuk e di nëse do më lejosh t’i marr një për një këto elementë.
Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm gjeopolitik, për shkak të lëvizjeve të shpeshta, të befta dhe përvijimit të aleancave të reja ndërkombëtare. Shqipëria është e mirëvendosur në aleancën brenda NATO-s dhe me Bashkimin Evropian, ku ka një perspektivë të qartë anëtarësimi. Këtë perspektivë nuk e ka vënë në pikëpyetje askush deri tani. Ajo që diskutohet sot në Bashkimin Evropian është shpejtësia e kësaj lëvizjeje, ku vend pararendës është Mali i Zi, dhe pas Malit të Zi më pas vjen Shqipëria si vend me potencialin për t’u anëtarësuar. Dhe ndërkohë që vëmendja është krejtësisht në vende të tjera, si në Ukrainë, tashmë në Lindjen e Mesme, Edi Rama kërkon të zhbëjë një proces, pra dhe ankorimin e qartë të Shqipërisë në hapësirën gjeopolitike, dhe kjo është në dëm të shqiptarëve, veçanërisht, duke patur parasysh këtu edhe pozicionin e Kosovës, gjeopolitik të saj, e cila për fat të mirë, këto muajt e fundit ka marrë një kthesë pozitive.
Çfarë do të thoshte tjetër ky, kjo formulë që paraqet Edi Rama me Aleksandër Vuçiç? Pse ata e kanë gjithmonë merakun vetëm tek kjo qasja në treg dhe lidhjet ekonomike, por duke hequr çdo lloj detyrimi tjetër politik, apo dhe kur them politik nuk është detyrim partiak, po është për të respektuar demokracinë, për të zbatuar të gjithë elementët demokratikë që duhet të ketë një vend që do t’i bëhet, do t’i shtohet Bashkimit Evropian si vend anëtar. Ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut, ka të bëjë me sundimin e ligjit, ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës. Dhe duke i ditur të gjitha këto, Edi Rama kërkon që t’i shpëtojë këtyre detyrimeve dhe në këmbim të, ta kthejë marrëdhënien tonë me Bashkimin Evropian vetëm në një marrëdhënie tregtare.
© SYRI.net



