EULEX: Nuk kemi marrë përgjegjësitë policore në veri

“Njësia e formuar e Policisë së EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, ka shtuar më tej patrullat e saj të lëvizshme të zbulimit në veri të Kosovëspër të rritur vetëdijen për situatën”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

“Nëse është e nevojshme, Misioni mund të vendosë një njësi policore shtesë, të formuar nga rezerva, për të rritur më tej numrin e forcave të saj në terren dhe kapacitetin operacional”, theksohet në përgjigje.

Po ashtu, EULEX-i thotë se është duke e monitoruar nga afër situatën për Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar përmes një komunikate se ka pasur paraqitje të dorëheqjeve në veri.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kapacitet për menaxhim të situatës dhe do të veprojë në përputhje me autorizimet ligjore për të garantuar sigurinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 6 nëntor se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e këtij vendi.

EULEX thotë se është mekanizmi i dytë reagues i sigurisë në Kosovë, dhe se është në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, si përgjegjëse e parë për sigurinë, dhe KFOR-in, si përgjegjës i tretë, dhe se do të angazhohet “vetëm me kërkesën eksplicite të PK-së”.