EULEX-i sqaron misionin që ka në Kosovë: S’kemi mandat ekzekutiv, ndihmojë sundimin e ligjit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dalë me një sqarim mbi mandatin që ka në vendin tonë.

Këtë sqarim, ky mision thotë se po e bën “duke iu referuar raportimeve të mediave” mbi rolin e tij në lidhje me operacionet e kryera nga autoritetet e Kosovës në veri të Kosovës.

“Siç është e ditur, EULEX-i nuk ka mandat ekzekutiv që nga viti 2018. EULEX-i është i mandatuar të ndihmojë fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë me qëllim që ato të jenë të qëndrueshme, llogaridhënëse, dhe të munden të garantojnë në mënyrë efektive të drejtat e secilit, pa diskriminim”.

Më tej, EULEX-i thotë se në këtë drejtim, monitorimi është komponentë esenciale e mandatit të EULEX-it.

Madje thotë se për ushtrimin efektiv të kapaciteteve të tyre të monitorimit të thuktë, atyre iu duhet të kenë edhe prezencë fizike në skenën e aktiviteteve që kryhen nga institucionet e Kosovës përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë.

Kjo, sipas EULEX-it, nënkupton monitorim në terren “si palë e paanshme ndaj qëndrimit dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, për vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimet për të drejtat e njeriut, me zotim të qartë kundër çdo forme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit”.

“Gjatë kryerjes së aktiviteteve tona të monitorimit, ne respektojmë në tërësi pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes, dhe në rast se përmes këtyre aktiviteteve të monitorimit identifikohen mangësi të rënda, Misioni i adreson ato me autoritetet përgjegjëse relevante”, ka përfunduar EULEX-i sqarimin dërguar mediave. /Klankosova.tv