Policia holandeze ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit anti-emigracion në Hagë të shtunën, pasi protesta eskaloi në dhunë.
Sipas agjencisë së lajmeve ANP, duke cituar të dhënat e policisë, rreth 1.500 persona bllokuan një autostradë që kalon përmes qytetit, ndërsa një veturë policie u dogj nga protestuesit. Gjatë përleshjeve janë arrestuar të paktën 30 persona, ndërsa dy zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar.
Protesta ishte organizuar nga një aktivist i ekstremit të djathtë, me kërkesa për politika më të ashpra ndaj emigracionit dhe kufizime më të mëdha për azilkërkuesit. Sipas raportimeve, shumë nga protestuesit mbanin flamuj të Holandës dhe simbole të lidhura me grupet e djathta ekstreme.
Kryeministri holandez, Dick Schoof, e ka dënuar ashpër dhunën, duke e quajtur “të turpshme dhe të papranueshme”. Ai tha se pamjet nga protesta ishin “tronditëse dhe bizare”.
Edhe lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, i cili kishte fituar zgjedhjet e fundit në Holandë dhe vazhdon të kryesojë në sondazhe për zgjedhjet e 29 tetorit, ishte ftuar të fliste në protestë por nuk mori pjesë. Ai gjithashtu e dënoi dhunën, duke e quajtur atë “krejtësisht të papranueshme” dhe duke i cilësuar autorët si “idiotë”.