Escobar: SHBA pret që pas zgjedhjeve në Maqedoni të formohet një qeveri e dedikuar për integrimin në NATO dhe BE

epa09625371 US Deputy Assistant Secretary of State in charge of the Western Balkans Gabriel Escobar attends the joint press conference in Skopje, Republic of North Macedonia, 06 December 2021. the US Deputy Assistant Secretary overseeing policy towards the countries of the Western Balkans Gabriel Escobar is in North Macedonia for an official visit. EPA-EFE/GEORGI LICOVSKI

“Maqedonia e Veriut është një partner shumë solid i Shteteve të Bashkuara, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh në NATO dhe OSBE, dhe Uashingtoni pret që edhe pas zgjedhjeve vendi të ketë një Qeveri të përkushtuar si anëtare e NATO-s dhe për integrimin në BE”,

Këtë porosi e bëri të qartë sot Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përcjell INA.

Sipas tij, Qeveria e mëparshme ishte e përkushtuar për anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në BE.

“Pritshmëritë tona janë që Qeveria që do të vijë pas zgjedhjeve do të angazhohet në mënyrë të ngjashme si anëtare e NATO-s, për anëtarësimin në BE dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Escobar në një konferencë në Bruksel para vizitës së tij në Prishtinë, Vjenë dhe Podgoricë.

Ai nënvizoi se shpreson se pas zgjedhjeve do të krijohet mundësia për të vizituar Maqedoninë e Veriut, pasi siç theksoi gjatë qëndrimit të tij aktual në rajon, do t’i përkushtohet çështjeve aktuale që kanë të bëjnë me Kosovën dhe zhvillimet në Mal të Zi.

Escobar theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë anëtarë të rëndësishëm të NATO-s dhe aleatë të Uashingtonit, ndaj administrata amerikane dëshiron një zgjidhje paqësore të të gjitha çështjeve.

Sipas tij, SHBA qëndron për vazhdimin e dialogut ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë bazuar në fakte dhe është e përkushtuar për të ruajtur perspektivën evropiane të vendit.

“Kemi marrë një garanci nga Bullgaria se ata duan që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e BE-së. Ne duhet të përfitojmë nga këto mundësi, sepse Maqedonia e Veriut duhet të jetë një kandidate e barabartë për anëtarësim në BE”, shtoi Escobar.

Sipas tij, janë pikërisht çështjet e hapura në rajon që e bëjnë Ballkanin Perëndimor të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve dashakeqe nga jashtë, përfshirë edhe Rusinë, ndaj për të reduktuar rrezikun nga kjo, duhet të punohet për tejkalimin e çështjeve të pazgjidhura. (INA)