Erdogani: Pavarësisht përpjekjeve globale, mizoritë në Gaza vazhdojnë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka dëmtuar rëndë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Në mesazhin e tij për Ditën e të Drejtave të Njeriut, të publikuar nga agjencia shtetërore Anadolu, Erdogan theksoi kontrastin mes sjelljes së Izraelit në terren dhe parimeve të deklaratës që ai vetë ka nënshkruar.

“Mizoritë që shohim në Gaza dhe në territoret e okupuara palestineze, fatkeqësisht, vazhdojnë pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare,” tha ai. “Rruga drejt paqes së drejtë dhe afatgjatë në Gaza është forcimi i armëpushimit – të cilin e arritëm edhe me kontributin tonë – si dhe zbatimi i zgjidhjes me dy shtete.”

Sipas tij, “rritja e presionit ndërkombëtar mbi Izraelin është vendimtare për të parandaluar që Gaza të zhytet sërish në konflikt”.

Turqia është bërë ndër kritiket më të ashpra të Izraelit, gjë që ka bërë që Izraeli të deklarojë se nuk do të pranojë trupa turke në misionet e ardhshme paqeruajtëse.