Erdogani, gati për ta vazhduar udhëheqjen (VIDEO)

Brohoritjet për Rexhep Tajip Erdogan u dëgjuan  posa ai mbërrit në qendrën e tij të votimit në Stamboll.

Megjithatë, kjo mbështetje për të parin e shtetit, që ishte në pushtet për dy dekada, nuk dihet nëse  do të jetë e mjaftueshme edhe në kutitë e votimin  nga të cilat pretendon ta marrë edhe mandatin e tretë presidencial.

Zgjedhjet presidenciale e parlamentare, që po konsiderohen historike, janë goxha sfiduese për liderin e partisë konservatore.

“Shpresojmë që pas numërimit të votave mbrëmjen e sotme, do Zoti rezultati të jetë i mirë për të ardhmen e shtetit tonë dhe për demokracinë turke” deklaroi Erdogan.

Erdogan po rrezikohet nga Kemal Kilicdaroglu, liderit 74-vjeçar i qendrës së majtë nga Partia Popullore Republikane pro-laike, që arriti të unifikojë pothuajse gjithë opozitën kundër Erdoganit.

Edhe ky të dielën iu drejtua kombit pasi hodhi votën e tij në Ankara.

“Të gjithëve na ka munguar shumë demokracia. Të gjithëve na ka munguar të jemi bashkë. Të gjithëve na mungonte përqafimi me njëri-tjetrin. Tani e tutje do ta shihni se pranvera është kthyer dhe do të vazhdojë”, tha  kandidati i opozitës Kemal Kilicdaroglu.

Publikimi i çdo rezultati të zgjedhjeve është i ndalur më ligj deri në orën 21:00, ndonëse vendvotimet u mbyllën në orën 17.

Por nëse asnjëri nga kandidatët nuk arrin më shumë se 50% të votave, gara presidenciale do të vazhdojë me balotazh më 28 maj.