Erdogani akuzon Izraelin: Pas sulmit të Hamasit keni kaluar në mizori

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se operacioni ushtarak i Izraelit në Gaza në përgjigje të sulmit brutal terrorist të 7 tetorit nga Hamasi është kthyer në mizori.

“Sulmet në Gaza kanë kaluar prej kohësh pikën e të qenit vetëmbrojtje. Tani është shtypje, mizori, masakër dhe barbari” tha ai në Ankara.

“Sa njerëz duhet të vdesin? Sa fëmijë? Çfarë llogaritje mjafton për ju?” vazhdoi ai.

Deklaratat e fundit të Erdoganit vijnë një ditë pasi tha se Hamasi nuk ishte një organizatë terroriste, por grup që kërkon “çlirimin dhe luftëtarë që luftojnë për të mbrojtur tokën dhe qytetarët e tyre”.

Gjithashtu, presidenti turk kritikoi Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara për avokimin për një “pauzë humanitare” dhe jo për një armëpushim.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë duke mbajtur një takim në Bruksel për të diskutuar krizën mes Izraelit dhe Palestinës.

Përpara samitit, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tregoi se blloku do të shtynte për një pauzë, transmeton CNN.

Ndërsa vendet anëtare të BE-së janë gjerësisht dakord që ndihma duhet të lejohet në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, ka hezitim nga disa për të miratuar një armëpushim për shkak të frikës se kufizon aftësinë e Izraelit për t’u mbrojtur kundër sulmeve terroriste.