Para fillimit të Konferencës në Berlin, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan i ka thënë homologut të tij rus Vladimir Putin se Konferenca e Berlinit duhet të sigurojë armëpushimin dhe dialogun politik për paqen në Libi.
Erdoğan takim me homologun rus Putin para konferencës mbi Libinë
“Duhet të sigurohet që dakordohen armëpushimi dhe kthimi në procesin politik në Samitin e Berlinit në mënyrë që Libia të arrijë paqen dhe qetësinë”, tha Erdoğan në Berlin gjatë pjesës së transmetuar të takimit me Putinin.
Erdoğan gjithashtu tha se “Sjellja agresive e (gjeneralit Khalifa) Haftar duhet të përfundojë për të zbatuar fazën e procesit politik dhe zgjidhjes (në Libi)”.
“Përpjekjet e përbashkëta për Libinë siguruan qetësi relative në terren, por iniciativat tona do të japin fryte me Konferencën e Berlinit”, tha ai.
Nga ana tjetër, Putin tha se Rusia dhe Turqia japin një shembull në gjetjen e një baze të përbashkët.
Ai vlerësoi përpjekjet e të dy vendeve për vendosjen e armëpushimit në Libi, duke thënë se Rusia dhe Turqia ndërmorën një hap të mirë dhe u bënë thirrje palëve ndërluftuese për armëpushimin.
“Palët dëgjuan thirrjen, aktivitetet luftarake në shkallë të gjerë janë zvogëluar”, tha Putin
Ai gjithashtu tha se takimi i së hënës në Moskë nuk mund të zgjidhte gjithçka, pasi njëra palë nuk iu bashkua marrëveshjes deri më tani, por, sipas tij, është e nevojshme të lëvizin përpara.
Qeveria e Libisë në Tripoli e njohur ndërkombëtarisht që nga muaji prill i vitit të kaluar është sulmuar nga kryekomandanti i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, ndërsa gjatë luftimeve në 9 muajt e fundit kanë humbur jetën më shumë se 1.000 njerëz.
Më 12 janar, palët ndërluftuese në konfliktin libian njoftuan një armëpushim si përgjigje ndaj thirrjes së udhëheqësve të Turqisë dhe Rusisë.
Megjithatë, bisedimet në Moskë për një marrëveshje të përhershme për armëpushim përfunduan pa marrëveshje të hënën pasi Haftar u largua pa e nënshkruar marrëveshjen.
Në vazhdën e bisedimeve në Moskë, Gjermania ftoi fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë në një konferencë paqeje në Berlin në përpjekje për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme armëpushimi dhe për t’i hapur rrugën zgjidhjes politike në Libi.