Erdogan: Krimeja duhet t’i kthehet Ukrainës

Krimeja duhet t’i kthehet Ukrainës, deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në një videomesazh të dërguar deri tek pjesëmarrësit e Takimit të dytë të iniciativës “Platforma e Krimesë”.

“Ne nuk e njohim aneksimin nga Rusia. Ky është qëndrim parimor, i cili nuk ka vetëm bazë ligjore, por edhe morale. Kthimi i Krimesë në Ukrainë është gjithashtu një kërkesë e ligjit ndërkombëtar. Mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit dhe unitetit politik të Ukrainës është e një rëndësie vendimtare jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, por edhe global”, theksoi Erdogan.

Ai në takimin virtual të liderëve botërorë, nikoqir i të cilit ishte presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, u përqendrua në kufijtë për sigurinë dhe mirëqenien e tatarëve të Krimesë.

“Tatarët e Krimesë janë një nga popujt indigjenë të Krimesë. Ata kanë vuajtur nga ngjarjet. Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së tyre është ndër prioritetet e Turqisë. Lidhur me këtë, dua të kujtoj se Turqia pret që ata të lirohen dhe të kthehen sa më shpejt në familjet e tyre, nënkryetari i Kuvendit Kombëtar Nariman Xhelal dhe shokët e tij, të cilët u arrestuan për shkak të pjesëmarrjes së tyre në Samitin e parë të Platformës së Krimesë”, theksoi Erdogan.

Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të jetë në anën e qeverisë ukrainase dhe të tatarëve të Krimesë dhe se do të vazhdojë të bëjë përpjekje për zgjidhjen e krizës ukrainase.