Erdoğan: Haftari i Libisë nuk shqetësohet për paqen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se forcat besnike të komandantit ushtarak libian, Khalifa Haftar, nuk shqetësohen për paqen ose armëpushimin në Libi.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Gambia, Adama Barrow, presidenti Erdoğan tha se komenti i zëdhënësit të Haftarit, ku thotë se procesi në Libi është në një pozicion kritik, është “shumë domethënës”.

“Shpresojmë që ata që erdhën në samitin e Berlinit më 19 janar, po ashtu i dëgjuan ato komente dhe do të përcaktojnë qëndrimin e tyrje në përputhje me rrethanat”, tha Erdoğan, duke iu referuar qëndrimit pa kompromis të Haftarit.

Një javë më vonë, Haftar pranoi kushtet në Berlin për të caktuar anëtarët e një komisioni ushtarak të propozuar nga Kombet e Bashkuara (OKB), me pesë anëtarë nga secila anë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, ajo e Haftarit në Libinë lindore kryesisht e mbështetur nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra në kryeqytetin Tripoli, Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.