Në mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të kaluar, qetësia e fshatit Varagë të Zubin Potokut u kris nga një shpërthim i fuqishëm, i cili goditi rëndë kanalin kryesor të “Ibër-Lepencit”, arterien ujore që furnizon me ujë të pijshëm disa qytete të vendit dhe siguron funksionimin e termoelektranave.

Policia e Kosovës konstatoi se sulmi ishte kryer me rreth 20 kilogramë eksploziv TNT, duke e cilësuar atë si goditjen më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës që nga lufta e viteve 1998-’99, raporton Klankosova.tv.
Reagimet nga institucionet shtetërore, udhëheqësit politikë dhe partnerët ndërkombëtarë ishin të menjëhershme. Shpërthimi u cilësua akt terrorist dhe gishtat u drejtuan kah Serbia, që u quajt shtet agresor. Frika për mungesën e ujit dhe ndërprerjen e energjisë elektrike mbizotëroi për orë të tëra, ndërsa ekipet emergjente në terren dhe forcat e KFOR-it u mobilizuan menjëherë për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur një krizë të mundshme humanitare.

Vetëm një ditë pas sulmit, organet e sigurisë arrestuan tetë të dyshuar dhe sekuestruan arsenal armësh në pjesën veriore të vendit. Hetimet u zgjeruan edhe me ndihmën e FBI-së, e cila konfirmoi përfshirjen e saj në analizat gjeologjike dhe forenzike të mostrave të marra nga vendi i ngjarjes.
Një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tre personave: vëllezërve Dragisha e Jovan Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq. Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, kishin vendosur dhe aktivizuar eksplozivin në strukturën e kanalit, duke shkaktuar dëme që arrijnë vlerën prej 376 mijë eurosh. Sipas aktakuzës, përveç veprave terroriste dhe armëmbajtjes pa leje, Jovan Viçentijeviq akuzohet edhe për spiunazh.
Hetimet zbuluan se ai, deri në momentin e arrestimit, kishte vepruar si kolonel i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë. Ai dyshohet se kishte mbledhur dokumente të klasifikuara, përfshirë një raport 66 faqesh të KFOR-it, kishte vëzhguar lëvizjet e ushtarëve amerikanë në veri, kishte fotografuar bazat e Njësive Speciale të Policisë dhe madje kishte tentuar të krijonte një narrativë të rreme përmes një organizate fiktive që synonte të njolloste imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Pjesë e provave që rrëzojnë mbrojtjen e të pandehurve ishte edhe ekspertiza e FBI-së. Analizat e dheut të gjetur në çizmet e të pandehurve përputheshin plotësisht me mostrat e marra nga vendi i shpërthimit, pra dëshmia kyçe që vërtetonte praninë dhe përfshirjen e tyre në kryerjen e aktit terrorist.
Kjo aktakuzë përmbyll fazën e parë të një prej rasteve më të rënda të sigurisë kombëtare që ka përjetuar Kosova në vitet e fundit, duke nxjerrë në pah jo vetëm rrezikun e sulmit, por edhe përmasat e ndërhyrjeve të inteligjencës së huaj në territorin e vendit. /Klankosova.tv






