Enzo Fernandez: Chelsea është pretendentë për titullin e Ligës Premier, por ka shumë kandidatë këtë sezon

Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez, ndau mendimet e tij mbi favoritët për të fituar titullin në sezonin aktual të Ligës Premier.

Londinezët janë aktualisht të tretët në ligë, duke fituar 24 pikë në 13 ndeshje, ndërsa kampionati udhëhiqet nga rivalët e tyre lokal, Arsenali me 30 pikë, teksa Manchester City renditet i dyti me 25 pikë.

Megjithatë, sipas mesfushorit të Bluve, Fernandez, Chelsea është në garë për titull këtë sezon në Ligën Premier, pavarësisht konkurrencës së madhe nga shumë ekipe tjera.

“Sigurisht, ne jemi pretendentë për titullin. Ka shumë pretendentë këtë sezon: Liverpool, Manchester City, Manchester United. Të gjitha ekipet po luftojnë për një vend në krye të tabelës”, ka thënë fillimisht Enzo.

“Ka disa ekipe shumë të forta në Ligën Premier. Arsenali gjithashtu ka performuar shumë mirë për shumë vite. Liverpooli është një ekip i shkëlqyer. Nuk do të zgjedh një sepse të gjithë janë të mirë”.

“Dhe e kuptojmë sa e vështirë është të luash në Ligën e Kampionëve. Do të përpiqemi të arrijmë në finale, të cilën e meritojmë si klub. Luajmë mirë, kështu që jemi të aftë të zëmë një vend të denjë”, përfundoi mesfushori.