Ende s’ka detaje të reja rreth zjarrit në spitalin modular në Tetovë

epa09456922 Forensic scientists and firefighters work at the fire site at a hospital for Covid-19 patients in Tetovo, Republic of North Macedonia, 09 September 2021. At least fourteen deaths have been reported by Ministry of Health when a fire, thought to have been triggered by oxygen cylinders that provide oxygen to patients with a more severe clinical case of Covid-19, broke at the hospital. EPA-EFE/Georgi Licovski

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën e sotme për media nuk ka dhënë detaje të reja rreth zjarrit në spitalin modular në Tetovë, që ndodhi më 8 shtator. Në pyetjen e Portalb.mk, nëse ka marrë informata nga Prokuroria rreth kësaj çështje, ai u përgjigj shkurt se nuk ka marrë asnjë informatë.

Po ashtu, ai është përgjigjur shkurt edhe në pyetjen nëse, gjithë përgjegjësia mbeti në një kabllo vazhduese.

“Ajo është çështje e prokurorisë, unë këtu nuk kam qasje në informata”, tha Filipçe.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ngjarja tragjike në Spitalin Modular për Kovid në Tetovë dhe ende s’ka asnjë rezultat nga hetimi. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësi morale apo penale për rastin ku humbën 14 persona.

Prokurorët ende nuk kanë arritur që të identifikojnë fajtorin/ët për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, pavarësisht se kanë kaluar thuajse dy muaj, ata ende janë në pritje të ekspertizave që i kanë urdhëruar, në mesin e të cilave është edhe ekspertiza e ekspertëve gjerman.

Kujtojmë se, më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona (8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç, 12 prej tyre ishin pacientë dhe 2 familjarë të viktimave që janë kujdesur për ata). Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.