Ende s’dihet a do të ketë zgjedhje të reja në Gostivar, Saraj e Aerodrom

Ende nuk dihet nëse do të ketë ose jo zgjedhje të reja për kryetar komunenë Gostivar, Saraj dhe Aerodrom. Sipas informacioneve të TV21, ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisje lokale do të presin votimin e Qeverisë në Kuvend. Këtë mëngjes janë mbledhur koordinatorët e grupeve të deputetëve për të biseduar për tekstin e ndryshimeve për të cilat nevojitet shumicë prej 2/3-ve, por LSDM dhe BDI nuk kanë dalë me qëndrim. Tani për tani propozuesit nga koalicioni VLEN do të presin që së pari të prononcohen edhe këto dy parti që edhe zyrtarisht të vendosin propozimin në procedurë kuvendore. Nga koalicioni VLEN kërkojnë që pasardhësit e kryetarëve të komunave Timço Mucunski, Arben Taravari dhe Blerim Bexheti të zgjidhen në këshillat e komunave si ushtrues detyre kryetar komune.

Paraprakisht edhe mandatari Hristijan Mickoski apeloi që të gjithë deputetët së bashku dhe pa kusht të votojnë ndryshimet e Ligjit për vetëqeverisje lokale.

“Ato zgjedhje në disa komuna do të kushtonin ndoshta një milion euro, para me të cilat mund të bëjmë ndonjë bulevard, ndonjë çerdhe të re, të renovojmë ndonjë shkollë, në vend që me lojërat tona politike të mundojmë qytetarët tani në nëntor-dhjetor njëherë dhe pastaj pas një viti në shtator-tetor përsëri”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mucunski dhe Taravari po zhvendosen në kolltuqe ministrore, ndërsa Bexheti do të vazhdojë karrierën politike si deputet. Qëllimi i VLEN që të shmangen zgjedhjet e parakohshme lokale mundet të në mënyrë shtesë të komplikohet, nëse ekipet juridike të partive konfirmojnë se nevojitet edhe ndryshim i Kodit zgjedhor që kjo gjë të ndodhë.