Emiratet e Bashkuara Arabe heqin vizat për qytetarët e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, ka pranuar propozimin e saj për heqjen e vizave për kosovarët.

Përmes një shkrimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se marrëveshja ishte arritur gjatë takimit dy palësh në muajin e kaluar dhe “tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”.

Lidhur me vendimin për heqjen e vizave ka njoftuar edhe Ambasada e Kosovës në Abu Dabi – kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara.

Në njoftim është theksuar se për datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes për heqjen e vizave do të ketë njoftim nga ambasada.

“Deri atëherë, qytetarët e vendit tonë, para se të nisen në Emiratet e Bashkuara Arabe janë të obliguar që të pajisen me viza hyrëse”, ka njoftuar ambasada.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Ndërsa më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.