Emigrantët, tensione në kufirin Greqi-Turqi

Mijëra emigrantë vazhdojnë të mbeten të ngujuar në zonën neutrale ndërmjet Turqisë dhe BE-së. Ministria e Brendshme e Turqisë deklaroi se do të nxjerrë edhe forcat speciale të ushtrisë për të mos lejuar që emigrantët të kthehen sërish në territorin turk. Afër trekëndëshit kufitar në mes Greqisë, Bullgarisë dhe Turqisë kanë vazhduar përplasjet ndërmjet policisë greke dhe emigrantëve. Zyrtarët turq deklaruan se një person ka humbur jetën kur forcat greke hapën zjarr, por Athina zyrtare mohoi përfshirjen në një incident të tillë me armë zjarri.

Emigrantët e lëshuar nga kampet turke pasi në kufirin tokësor u bllokuan për të hapur rutë të re drejt BE-së, vazhdojnë të lëvizin përmes rutës së vjetër ujore nga ishulli Lesbos. BE-ja i druhet një përsëritje të krizës së vitit 2015. Andaj përshpejtoi procedurën e dhënies së mbi 700 milion dollarëve për të ndihmuar Greqinë në përballet me valën e re të emigrantëve. Ndërkaq, Bundestagu gjerman hodhi poshtë kërkesën për të pranuar 5,000 refugjatë nga ishujt Grekë, raportojnë mediat gjermane.

Emigrantët filluan të dynden në kufirin perëndimor të Turqisë të premten, pasi Presidenti Rexhep Taip Erdogan i inkurajoi ata që të shkonin drejt Evropës. Ai e akuzoi BE-në se ka dështuar të ofrojë mbështetje pas luftimeve intensive në provincën Idlib të Sirisë, që kanë detyruar qindra mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre. Me këtë rast Erdogan u takua me presidentin rus Vlaldimir Putin.

Situata në rajon është shumë akute dhe e di se e gjithë bota i ka sytë në këtë vend, në këtë takim. Besoj se diskutimi dhe vendimet e sotme do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së tensionuar. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë sot janë në nivelin më të lartë – tha Rexhep Taip Erdogan, Presidenti Turqisë.

Situata në Idlib është aq akute sa ishte e domosdoshme të takoheshim. Andaj kemi nevojë ta diskutojmë të gjithë situatën, në mënyrë që diçka e këtillë të mos ndodhë sërish. Kjo nuk do të prish marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë dhe e di se edhe ju i vlerësoni këto marrëdhënie – u shpreh Vlladimir Putin, Presidenti i Rusisë.

Përderisa shtetet e mëdha po përpiqen të gjejnë zgjidhje për ndalimin e dyndjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme në BE, autoritetet e vendit tonë thonë se kanë fortifikuar kufirin jugor me polici dhe ushtri, i cili mund të jetë sërish territor tranzitor. Por përsëri u kapën edhe 17 emigrantë ilegalë në afërsi të Shtipit. Sipas MPB-së ky është rasti i tretë i kapjes së emigrantëve brenda një jave në afërsi të Shtipit ku janë kapur gjithsej 135 emigrantë. Fillimisht u kapën 40 emigrantë, tha policia. Të dielën e 1 marsit, u kapën edhe 78 të tjerë në një kamion, të cilët po udhëtonin drejt veriut të vendit.