Elon Musk bëhet njeriu më i pasur në botë, pasuria e tij arrin mbi 700 miliardë dollarë

Drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka arritur një shifër historike pas një vendimi të rëndësishëm të Gjykatës së Lartë të Delaware, duke e çuar pasurinë e tij në 749 miliardë dollarë, sipas indeksit të miliarderëve të Forbes.

Musk këtë javë bëri historinë duke u bërë personi i parë që kalon pragun e 600 miliardë dollarëve në pasuri, pas lajmeve se start-upi i tij hapësinor, SpaceX, mund të bëhet publik në të ardhmen.

Në muajin nëntor, aksionarët e Teslas miratuan gjithashtu një plan pagesash prej 1 trilionë dollarësh për Muskun, që ka shënuar paketën më të madhe të pagesës për një drejtor ekzekutiv në histori.

Ky plan, i miratuar nga investitorët, mbështet vizionin e Muskut për transformimin e Teslas nga një prodhues veturash elektrike në një “kolos” të inteligjencës artificiale dhe robotikës.

Në këtë mënyrë, pasuria e Musk ka arritur një shifër që kalon atë të Larry Page, bashkëthemeluesit të Googlet, duke e bërë atë personin më të pasur në botë, me një diferencë prej gati 500 miliardë dollarësh.

Kjo ngjarje e bën Muskun figurë kyç në industrinë globale të teknologjisë, duke i dhënë atij rol të rëndësishëm si lider në fushat e automobilizmit, hapësirës dhe inteligjencës artificiale.