NGA BEN ANDONI
Për çdo mëngjes gdhihemi të bombarduar nga mizëri lajmesh, ardhur nga media të ndryshme në vend dhe jashtë tij. Të duket sikur jemi në një karusel gjigant, ku ajo që na shpërfaqet si lajm, zhduket sakaq për t’u zëvendësuar dhe riardhur me devizat e mediave të ndryshme: ‘Pa asnjë dyshim’ secila syresh përbën lajmin e fundit, përmes nesh kalon lajmi i vërtetë e të tjera moto si këto janë kthyer në ushqimin kryesor të vëmendjes së publikut, ku sipas të cilave individi orienton konceptet e tij\saj për botën përreth nesh dhe më gjerë. Duket se të gjithë jemi në grackën e atyre që duhet të shërbehen duke na u kërkuar të kemi të njëjtën gjatësi vale, të kultivojmë të njëjtat shije dhe madje, të jemi pjesë e një mediumi të përbashkët, ku jemi dhe duhet të bëhemi pjesë, pasi përndryshe do të mbetemi larg… qoftë dhe jashtë ekzistencës të servirur. “Veçse të shohësh lajme në televizor në disa raste është pak më shumë sesa të shikosh mbi dikë që gjithashtu po sheh një tablo. Ne e marrim këtë ekstazë kolektive si normalitet. Kemi rënë ngadalë në një trans të tillë”, citohet studiuesi amerikan Timothy Snyder, në një përmbledhje të njëzetë leksionesh nga shekulli i njëzetë të titulluar “Mbi Tiraninë”. Një alarm i vërtetë i studiuesit, bërë gjatë mandatit të parë të presidencës Trump, me shqetësimin qytetar se bota e kohës së Trump po na fut në qorrsokakë, ngjashmëria e të cilave e trandi Evropën, para 80 vitesh. Në të vërtetë, shqetësimi lidhet me qasjen ndaj një koncepti që njihet si ekstazë apo eferveshencë kolektive. Ne jemi në rresht tani dhe të imponuar nga politika.
Referuar literaturës, ky koncept lidhet me faktin e forcimit të lidhjeve shoqërore dhe krijimit të një ndjenjë përkatësie midis individëve, e cila është thelbësore për ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve shoqërore. Për ta kuptuar më mirë konceptin duhet ta shpjegojmë nga saktësimi i teorisë: “Ekstaza kolektive, e njohur edhe si eferveshencë kolektive, është një koncept sociologjik që përshkruan gjendjen e përbashkët të energjisë së shtuar, unitetit dhe transcendencës që ndodh kur individët bashkohen dhe marrin pjesë në të njëjtin aktivitet ose përvojë. Ky koncept u krijua nga Émile Durkheim, një sociolog francez, i cili argumentoi se përvoja të tilla kolektive janë thelbësore për të kuptuar sjelljen shoqërore dhe formimin e shoqërive”.
Ne jemi gati robër të ndjekjes së lajmeve dhe programeve në Radio dhe TV të atyre që projektohen prej mediumeve, ku pesha kryesore dhe rëndësia bie mbi ndodhitë për politikanët dhe gjithçka të artikuluar prej tyre; lajmet e krimit; e patjetër lajmet boshe të showbizit (falë klikimeve marrin rëndësinë më të madhe), ku edhe ata që nuk i duan përsërisin të njëjtat gjëra. Ky është realiteti ynë social, ngjashëm si jo pak vende të tjera. Në këtë sens e gjithë shoqëria është e varur nga lajmet e këtyre lloje mediumeve dhe produktet e këtyre. Politikanët, kriminelët dhe njerëzit e showbizit janë ata që përbëjnë dhe jo pak herë e diktojnë jetën tonë sociale. Dukemi të peshkuar në një realitet, ku një pjesë jo e vogël e popullsisë reziston për t’u përfshirë, sepse i duhet të mbijetojë. Kështu, p.sh., në morinë e lajmeve për kandidatët e Bashkisë së Tiranës (kemi vetëm atë të pozitës tani) nuk mendojmë dot prej këtij fluksi pafund njoftimesh për kandidatë hipotetikë, kur Tirana ka nevojë për diskursin mbi një njeri ta njohë sesi funksionon qyteti dhe cilat janë prioritetet e nevojave të metropolit. Ne kemi nevojë nga SPAK-u të ishte më afër të gjithë kësaj vorbulle krimi, duke arritur dhe të disiplinonte lajmin me punën e vet, lidhur me ato që qarkullojnë sot për negociatat me kartelet e Amerikës Latine; takimin e famshëm në Aruba (?!); ekzistencën apo jo të lidhjeve mafia-qeveri; për shpërdorimin e fondeve të IPARD dhe bllokimit të vendit për fondet bujqësore; për vazhdimësinë e eficencën e inceneratorit të Tiranës; për koncesionet e dializës dhe të laboratorëve mjekësorë; për lejet e kullave dhe katet pa leje në Tiranë dhe gjendjen selektive të prishjes së hapësirave pa leje. E duke vazhduar me shumë të tilla në një listë parregullsish që nuk mbaron.
Kështu ne goditemi hap pas hapi si shoqëri dhe jemi të kapluar në vëmendje, ndërkohë që nuk po shohim dot se çfarë ndodh në Shqipëri. Vetëm në momente ‘të rralla’, kur karuseli i këtyre lajmeve ndalet pakëz, njeriu i zakonshëm pyet: Si ka ‘mundësi’ që krimi qarkullon shifra marramendëse parash për ekzekutime (një pjesë e kriminelëve i kanë treguar live ‘honorarët’ habitëse të vrasjeve), të cilat janë të paimagjinueshme për njerëzit e thjeshtë që rropaten të gjejnë një punë dhe të tjerë që nuk e gjejnë as mundësinë e thjeshtë të punësimit dhe largohen. Por fuqia mediatike e Ramës sot ka relativizuar gjithçka, madje edhe vëmendjen e ekstazës kolektive. Ashtu si të shohësh ato pak fytyra të PD-së që përsëriten në çdo kanal duke e bërë bezdisëse dhe fyese edhe mendjen më indiferente të ekstazës kolektive. Ndërkohë, kjo e cila po ndodh tek ne, na ka treguar se për të përcaktuar rëndësinë e gjërave që na rrethojnë kërkon koncepte dhe mëndje të kthjellëta dhe kjo “nuk është e mundur prej kënaqjes prej këtij stimulimi virtual të pashoq”, do të perifrazonim sërish Snyder. Me pak fjalë, të kesh mundësi të orientohesh në këtë qerthull masiv lajmesh të duhet më shumë dituri, të duhen më shumë pika fokale që beson se mund të hapin horizonte, të kesh më shumë koncepte dhe të jetë i përditësuar me to, për ta drejtuar këtë ekstazë menefregiste në shqetësim për fatet e vendit. Duhet pra, të rikthehemi te librat e mirë, te kultura dhe në këtë normalitet të televizorit dhe bombardimit të medias që më të vërtetë është anormalitet, t’i shpëtojmë ekstazës kolektive në drejtimin e imponuar tashmë fare keq. Paçka se rruga është e vështirë, pasi emocionet e përbashkëta ushqejnë etjen e turmës, krejt ndryshe nga publiku, që kërkon përgjigje për shqetësimet. Të paktën tek “1984”, ku u dha alarmi i parë për atë që po jetonte dhe me gjasa do kaplonte shoqërinë e të ardhmes u bë e qartë se gjuha e medias vizuale është shumë e kufizuar, ku publiku nuk e sheh dot të tashmen, nuk e kujton të shkuarën dhe kështu do mbetet konfuz për të ardhmen. Kjo duket pak a shumë te pakti i politikës në ditët e sotme, ku gjuha e kuptimit është vështirësuar ndërsa është shtuar thjeshtësia e tollovisë, ndërsa çdo gjë është e relativizuar. Në këtë logjikë duhet të përpiqemi t’i shmangemi kësaj ekstaze kolektive që vëmendjen e çon vetëm tek njerëzit e krimit, politikanët dhe njerëzit shpesh herë bosh të showbizit, për ta çuar te individi që kupton dhe do të ndryshojë vendin.
(Homo Albanicus)