“Eksportimi i vlerave” “Menchen wie Sie machen durch ihr Handeln die Welt reicher” “Njerëzit si ju, me sjelljen e tyre, e bëjnë botën më të pasur”

Shkruan: Ibraim Kazimi

Ju rrëfej një ngjarje të vërtetë.
Në vijim të këtij syzheu me vargjet përjetuese të ndodhisë, ose si thuhet sot, këtij “abstraktit” përshkrues të ngjarjes, desha me shumë mirakëndje, të ju demonstroj një histori të vërtetë ditore, të një aspekti jetsorë, që në thelb, evokon nevojë medituese, të veçimit të këtyre ca momenteve peripetike e sinjifikative- edhe pse minore, por kyçe e qendrore; në shpështjelljen e hullive të indiferencës e anatemimit të strukturave morale të edukatës, tolerancës, durimit, respektit e dashamirësisë humane.

“Heroi” i protagonizuar i ndodhisë, një njeri i paekspozuar në sfonde të llastive mediatike, një burrë i virtyteve, një familjarë i denjë i kodeve të nderit, një prind empatik i respektit të vlerës universale; “ajo që vlen për mua-vlen edhe për të tjerët”, më kishte thënë ditën e ndejës tonë, të këndshme miqësore.

Ekremi është shofer i respektuar i linjave urbane në qytetin e Leverkus-en, të pjesës jugore të Landit Nordrhein-Westfalen, që bën pjesë nën juridiksionin administrativ (guvernant) të Köln-it, qytetit të pikës më perëndimore të Gjermanisë.

Ekremi, rrëfen me urti të rrallë dhe me dozë të lartë vetkuptimi, se përjetimet profesionale, gjithandej janë të shumënduarshme dhe të begata. Mandej, me shumë modesti shton se edhe akëcili tjetër do të kishte reaguar po-njëjtë, siç ishte sjelluar ky zotëri, ky shqiptarë, ky burrë, asaj nate që e bëri faqebardhë publikisht.

Në festën e madhe të qytetit, të ashtuquajtur Weiberfastnacht, një vajzë e re, me të zbritur nga busi i linjës, që drejtohej nga z.Ekremi, me ecje të paqëndrueshme e hapa të lëkundshëm, me lajthitje koshience, me të dalur, u zbraps në karrigen e parë më të afërt, të stacionit prezent. Dukej të ishte e tkurur në veten e saj, e dobësuar skajshëm. E rënë në gjendje ankthi e në mëshirë të temperaturave të natës, Ekremin-shoferin e historisë sonë, nuk e lejoi ndërgjegja e dhimbshuria që të vazhdonte tutje, ashtu siç kërkonte rutina e linjës, angazhimet dhe stresi i punës (apo edhe siç do të kishin bërë shumica e të tjerëve).

Z.Ekrem Dauti vazhdoi me dëlirësinë e tij më njerëzore, me ndjesinë më sublime prindore, e karakterin e tij human, t’i ofrojë përkrahjen e këshillat e nevojshme emergjente, përderisa njëkohësisht kishte telefonuar tashmë edhe shërbimet e sanitetit lokal.

Vajza e ndodhur në zgrip të emocioneve dhe koshiencës së rraskapitur, nuk arrinte të qetësohej. Ajo në gjendjet e saja fatkeqe të afekteve, jo pak herë edhe do shfrynte mllefin e padrejtë dhe të padenjësisë së saj, pikërisht ndaj “shpëtimtarit” dhe ndaj njeriut me rolin më engjullorë, në ato momente kyçe për jetën e saj. Ajo, si-vetja e gjendjes saj të ligshtuar, nuk arrinte të ngurojë edhe kërcënimet, bile, që pavetëdijshëm bënte në adresë të ndihmonjësit të saj, si të dërguar nga hyjnitë!

Njeriut që nuk pranoi ta linte të vetme në çastet më kritike të jetës së saj. Ekrem Dauti e përballonte skenën me një stoizëm të pashoq e integritet të vërtetë burrnorë-“e mendoja si bijën time”- m’u rrëfye mua, personalisht, derisa shpjegonte rrjedhën e asaj nate, që e shndëroi në heroin e heshtur, ngase, me këtë shkas, iu zbuluan edhe virtytet tjera humane e profesionale, të sakrificave e mirësive tjera të parrëfyera deri më atëherë.

Me të ardhur të sanitetëve, mëpas vijnë edhe prindët e vajzës. Prindët e shqetësuar dhe në afekte paniku, në ato çaste kishin mospërfilluar rrethanat. Mendonin vetëm gjendjen e vajzës.

Mbase njerëzorja nuk ka vdekur ! Menjëherë ca ditë më pas në ndërmarrjen e z.Ekrem Dautit vijnë një letër falënderuese, që mbante vulën dërguese të prindërve të vajzës :

– “Sehr geehrten Busfahrer bei der “WUSPI”,
Wir sind ihnen unendlich dankbar dass Sie sich um unsere stark angetrunkene Tochter gekümmert haben…!

Menchen wie Sie machen durch ihr Handeln die welt reicher.”

– Me Ekremin u njohëm përanshëm. Në ftesën e darkës së mrekullueshme, të organizuar nga një mik i yni i përbashkët.

I urojmë mirëvajtje dhe suksese të pafunda të këtilla faqebardhësie ! Respekte miku !