Eksportet shqiptare rënie me 23 për qind për janar-shkurt, thellohet ndjeshëm deficiti tregtar

Viti ka nisur negativisht për pjesën më të madhe të eksportuesve shqiptarë, të cilët po ndikohen si nga konjuktura e pafavorshme e kërkesës ndërkombëtare e çmimeve në bursa, ashtu dhe nga zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës së përbashkët euro.

Tekstilet e këpucët po vijojnë me rënie për muaj radhazi dhe kanë filluar tashmë mbylljet e fabrikave. Përveç “ushqime, pije e duhan”, dhe “produkte kimike e plastike”, që shënuan një rritje modeste, edhe të gjitha grupet e tjera ishin me rënie.

INSTAT njoftoi se në shkurt 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 32 miliardë lekë, duke u ulur me 16.1 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në janar eksportet kishin rënë me 29 për qind.

Në shkurt, sipas INSTAT,  në uljen e eksporteve negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,5 pikë përqindje, Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.

Në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 62 miliardë lekë, duke u ulur me 23.0 për qind. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve për dy mujorin, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -13,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,1 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.

Ndërsa eksportet po vijojnë të bien, importet i janë rikthyer rritjes, duke thelluar ndjeshëm deficitin tregtar. Sipas INSTAT, importet e mallrave arritën vlerën 134 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit, duke u rritur me 5.0 për qind, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 72 miliadë lekë, duke u rritur me 52.6 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.