Në seancën e sotme dëgjimore për rastin “Onkologji”, eksperti Milan Risteski dëshmoi përsëri për terapitë dhe protokollet e Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji – Shkup, duke treguar disa devijime në dokumentacionin mjekësor dhe zgjedhjen e terapive. Ai theksoi se 12 pacientëve u është dhënë terapi në kundërshtim me indikacionet dhe pa asnjë përfitim dhe veçanërisht theksoi rastet në të cilat pacientët me kancer në veshka nuk kanë marrë pembrolizumab, megjithëse sipas indikacioneve duhet ta kishin marrë, raporton MIA.
“Janë bërë tridhjetë e tre mijë receta për terapi të shtrenjtë. Të gjitha janë kontrolluar. Metodologjikisht. Ajo që është gjetur e çuditshme dhe e pasaktë është ekspozuar këtu”, theksoi Risteski në një deklaratë për MIA-n.
Sikur edhe në seancën e kaluar, ai dëshmoi për terapitë dhe protokollet në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji – Shkup, ku tha se vuri re devijime, veçanërisht në pjesën e të dhënave të dokumentuara në mënyrë të pamjaftueshme mbi gjendjen e pacientëve dhe shpjegimet për zgjedhjen e terapisë.
Ndër të tjera, ai shpjegoi se te 12 pacientë terapia është dhënë në kundërshtim me indikacionet dhe pa asnjë përfitim dhe në dëm të pacientëve.
Ai shpjegoi gjithashtu për trajtimin e njërit prej pacientëve nga fundi i vitit 2019.
“Ka pacientë që duhet të kishin marrë pembrolizumab dhe nuk e kanë marrë, veçanërisht në grupin e pacientëve me kancer në veshka. Pacientët nuk mund të favorizohen sipas indikacionit dhe disponueshmërisë së terapisë”, nënvizoi ndër të tjera Risteski në seancën dëgjimore.
Mbrojtja kishte vërejtje se Risteski po jepte një mendim eksperti për vendimet e marra nga mjekë me përvojë klinike dukshëm më të gjatë se e tija, se më pak se një vit pas marrjes së licencës si ekspert në fushën e radioterapisë dhe onkologjisë, ai ishte angazhuar si ekspert mjekësor në këtë rast, megjithëse nuk mundi, sepse ishte edhe dëshmitar.
Risteski mohoi se ky ishte rasti i tij i parë pas marrjes së asaj licence dhe theksoi se deri më tani nuk kishte pasur vërejtje në lidhje me punën e tij.
Rasti “Onkologjia”, i cili shkaktoi reagime të stuhishme në publik, u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave “Onkologjia 1”, ku Vasev dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, ndërsa në tjetrën, “Onkologjia 2”, dy ish-drejtorët Vasel dhe Nuhi po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.






