Dy javët e fundit talebanët janë kthyer në tituj kryesorë në media pas marrjes së shpejtë të kontrollit në Afganistan, gjë që ka shkaktuar reagime të shumëllojshme nga qeveri dhe segmente të ndryshme të shoqërisë.
Ahmad Muwaffaq Zaidan, një ekspert për çështjet afgane, i cili foli për Anadolu Agency (AA), beson se talebanët sot janë ndryshe nga ato që ishin 20 vite më parë pas kontaktit të tyre rigoroz me botën.
“Skenat që kemi parë në mënyrën se si talebanët hynë në Kabul dhe në qytete të tjera, si dhe si janë sjell me institucionet shtetërore, janë siguruese si për popullin afgan ashtu edhe për botën”, tha Zaidan, i cili është autor i “Verës së gjatë të Afganistani”.
Më tej, ai thotë të krahasohet kjo hyrje e talebanëve me “barbarinë” e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA që hyjnë në Bagdad në vitin 2003, madje edhe me protestuesit që hynë në Kapitoll Hall gjatë ditëve të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Pas marrjes së shpejtë të kontrollit të rretheve administrateve dhe qendrave provinciale, luftëtarët talebanë të dielën mbërritën në Kabul dhe morën pushtetin, duke marrë kontrollin e vendit për herë të parë në pothuajse 20 vite.
Qeveria u rrëzua shpejtë, me presidentin Ashraf Ghani dhe zyrtarë të tjerë të lartë që ikën jashtë vendit për shkak të sigurisë së tyre.
Deri më tani, talebanët kanë shpallur amnisti të përgjithshme për punonjësit e shtetit, kanë inkurajuar gratë të marrin pjesë në qeverinë e ardhshme të vendit dhe janë zotuar se toka afgane nuk do të jetë një “trampolinë” për të dëmtuar ndonjë vend tjetër, garanci të cilat Zaidan i përshkroi si “inkurajuese”.
Megjithatë, ai pretendon se “faza tjetër do të jetë një provë për talebanët”, por shprehu shpresë se grupi do të përfitojë nga përvoja 5-vjeçare në qeverisjen e vendit para pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja, si dhe me vende të tilla si Pakistani, Katari, Turqia dhe vende të tjera me të cilat ka marrëdhënie relativisht më të mira.
– Fitore apo marrëveshje?
I pyetur nëse marrja e kontrollit nga talebanët është rezultat i fitoreve në fushën e betejës apo një marrëveshje me SHBA-në, Zaidan tha se është një “fitore e vërtetë”. Ai citoi mbulimin nga mediat perëndimore të marrjes së kontrollit nga talebanët, ato si “fundi i epokës amerikane” dhe “poshtërimi” i Perëndimit në vendin e Azisë Qendrore.
“Ajo që tha presidenti amerikan i SHBA-së, Joe Biden, për Afganistanin si varreza e perandorive është e mjaftueshme për të shpjeguar gjithçka”, tha Zaidan.
Lidhur me thashethemet se ajo që ndodhi nuk është fitore e talebanëve, por një marrëveshje paraprake me SHBA-në, Zaidan tha se, “E vetmja marrëveshje, me sa di unë, është marrëveshja e Dohas e nënshkruar në shkurt të vitit 2020, e cila parashikonte tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani. Marrëveshja u nënshkrua gjatë administratës Trump dhe administrata aktuale kishte shumë pak kohë për të dalë nga Afganistani në mënyrë të sigurt dhe kjo ka krijuar një gjendje paniku dhe konfuzioni për të cilën ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë”.
Ai po ashtu iu referua lojës së fajësimit midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për kontrollin e Afganistanit nga talebanët, për të cilën ai tha se do të ketë “pasoja të thella, të rrezikshme dhe të gjera”.
Bota, tha ai, “duhet të përgatitet për ndryshime të mahnitshme gjeopolitike, ku talebanët do të jenë një lojtar kryesor në skenën e ardhshme”.
– Talebanët, negociator të durueshëm
Sipas tij, tre karakteristikat e talebanëve si “negociator të durueshëm, të palëkundur dhe të rrezikshëm” luajtën një rol kritik në fitoren e tyre.
“Amerikanët në vitin 2010 kërkuan që Pakistani të arrestojë ndihmës komandantin e talebanëve, Mullah Abdul-Ghani Baradar, pastaj në vitin 2018 kërkuan lirimin e tij pasi ata po e llogarisnin atë (për negociata). Ata menduan se ai ishte një nga të moderuarit, por ai vërtetoi se ishte i moderuar me fjalët e tij të bukura, por me durim dhe qëndrueshmëri në parime. Ai, sipas mendimit tim, i mahniti të gjithë”, tha Zaidan.
– Talebanët dhe Turqia
Në lidhje me marrëdhëniet e talebanëve me Turqinë, Zaidan tha se grupi ka “ndjenja islame dhe dashuri historike për Turqinë”, të cilat ai beson se duhet të forcohen në mënyrë që të adresojnë sfidat e përbashkëta.
“Ndoshta ditët e ardhshme do të na sjellin të gjithëve një lajm të mirë për këtë marrëdhënie që do të thellohet më tej, që besoj se do të jetë në të mirë të botës islame, e cila po përballet me sfida të mëdha”, tha Zaidan.
Ai beson se talebanët që morën pushtetin në Afganistan do të kenë një ndikim “të jashtëzakonshëm” në lëvizjet islamike.
“Ne shohim rritjen e moralit që i dhanë në veçanti lëvizjeve xhihadiste, të cilat mund të fitojnë në kurriz të rrymave të tjera (jo-xhihadiste) dhe ne shohim se e gjithë bota po komploton kundër Pranverës Arabe, nga e cilat Tunizia ishte viktima e fundit”, tha Zaidan.
Ai paralajmëroi se të rinjtë muslimanë tani do të tërhiqen më shumë nga stili i talebanëve për të marrë pushtetin, që duket se miratohet nga popujt në botën arabe që dëshirojnë t’i japin fund shtypjes.



