Ekspertët apel Qeverisë së RMV-së: Ngrini çmimin e energjisë elektrike, ulni akcizën për karburantet!

Nevojiten masa për tejkalimin e krizës energjetike, sepse qytetarët nuk do ta përballojnë dot rritjen e çmimit të rrymës dhe ushqimeve. Krahas subvencioneve për qytetarët me të ardhura të ulëta, duhet të mendohet edhe ngrirja e çmimeve të energjisë elektrike dhe ulja e akcizës së karburanteve, thonë ekspertët e ekonomisë.

Me këto masa profesori Ferati pret që të ulet presioni mbi çmimet e produkteve tjera. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat tha se masa për uljen e TVSH-së në 5 për qind të energjisë elektrike do të vazhdojë për aq kohë sa të zgjasë kriza energjetike.

“Vendimi i TVSH-së është marrë gjashtë muaj më parë, në pjesën e uljes së energjisë elektrike. Duhet të rritet në 10 për qind këtë vit, por ne nuk do ta marrim këtë si vendim duke pasur parasysh krizën energjetike, kështu që do të vazhdojë me 5 për qind”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi se Qeveria do të përgatisë një sërë masash të reja, por për momentin nuk bëhet e ditur se çfarë do të ndërmerret. Shumica e vendeve evropiane kanë ngrirë tashmë çmimet e karburanteve, duke shpërndarë kupona karburanti ose energjie elektrike për disa amvisëri. Shembull i fundit është vendimi i qeverisë suedeze për të ndarë 670 milionë dollarë kupona për të ndihmuar familjet, për shkak të rritjes drastike të çmimeve të energjisë elektrike./ALSAT