Ekskluzive: Pas zgjedhjeve Naser Zyberi formon parti të re politike?!

Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Zyberi, nuk është shumë i kënaqur me korrektësinë e treguar nga BDI gjatë fushatës parazgjedhore, kanë treguar njerëz të afërt të Zyberit.
Sipas tyre, BDI vetë e kandidoi Naser Zyberin, por kur e vërejti se i tejkaloi me rejting disa funksionarë të kësaj partie, janë ndier të rrezikuar dhe “vetë ata që e kandiduan, filluan ta shajnë e ofendojnë prej anash”.
Si shembull në këtë drejtim përmendin kushëririn dhe njeriun e afërt të Ali Ahmetit, i cili gjatë tërë fushatës e akuzon Naser Zyberin për qëndrimet që ia ka pasur ndaj U:K-së në vitin 2001, por shtojnë se nuk është rastis që Zyberin “e ka ofenduar edhe një njeri i afërt me Izet Mexhitin, duke ia sharë edhe nënën në rrjete sociale”.
Nga ana tjetër thonë se BDI nuk tregoi kurrfarë interesi për të mbrojtur nipin e Naser Zyberit, Arben Zyberi, nga shkarkimi prej postit të drejtorit në Qendrën për shëndet publik.
“Nuk është fer dikë ta kandidosh, ta fusësh në zjarr në një betejë, e nga ana tjetër t’i bësh nërkëmbëza duke lëshuar njerëzit tu të afërt ta shajën e ta ofendojnë. BDI po të kishte dashur shumë lehtë do ta mbronte Arben Zyberin, nipin e Naserit, prej Filipçes i cili e shkarkoi, sepse e kanë edhe kandidat për deputet. Por nuk ndërmorën asgjë, përveç disa kumtesave joserioze”, kanë thënë njerëzit e afërt të Naser Zyberit, duke shtuar se ai tani është në udhëkryq dhe po shqyrton dy mundësi për veprim të mundshëm pas zgjedhjeve.
Varianti i parë është t’i kthehet profesionit të noterit, kurse varianti i dytë është formimi i një partie të re politike.
“I thamë prej fillimit të mos futet në lojë me njerëz të pandershëm. Na vjen mirë që tani e kuptoi me kë ka punë”, kanë theksuar ata.
Pritet reagim edhe nga Naser Zyberi ndaj këtyre informatave, sepse që kur u afrua me BDI-në, ai nuk është i qasshëm për kontakt si më herët.