‘Efendiu’ i Besës mallkon Aleancistët dhe ‘krushqinë’ e tyre me komitët e Mickos!

Shkruan: Medai Shaholli

Dje, sekretari i parë i ‘dvizhenje Besa’ Arjanit Hoxha, në një prononcim në faqen e tij të fcb, ka ‘mallkuar’ shkarazi heretikët e Aleancës dhe ish bashkëpartiakët e tij Alternantë për ‘krushqinë’ e re dhe aleancën parazgjedhore që këta të fundit lidhën me komitët e Mickos.

Ai në atë prononcim thotë se, … (e ka fjalën për ASH AAA) mendojnë se me VMRO-DPMNE do vendosin të ardhmen e Tetovës, Gostivarit, Çairit, Strugës etj… ndërkohë harrojnë thënien popullore: “ujku qimen e ndron por zanatin nuk e harron”. Dallimi mes ne dhe atyre është se BESA në zgjedhjet e fundit vendosi të ardhmen e shtetit, kurse këta me VMRO-DPMNE duan të vendosin vetëm të ardhmen në karriken e komunës!

Ndërsa ne syri kritik i të ‘painkuadruarve’ jashtë batakut të kënetës qeveritare, po pyesim thjeshtë, përse ju ‘dvizhenje Besa’ lidhët krushqi me ish komunistët e Gligorovit pasi ata janë dëshmuar si antishqiptarë në qeverisjet e tyre në këto tri dekada dhe ku dalloni ju nga integristët e Ali Ahmetit në qëndrime dhe veprime?

Tetovarët dhe mbarë shqiptarët e ‘severnës’ e kanë kuptuar tashmë lojën tuaj të ndyrë dhe marrëveshjen e fshehtë që keni bërë me DUI-n, se ju në rrethin e dytë do të votoni ‘trëndafilen’ dhe ‘pilivesën’ e tyre.
Ky fakt dëshpërues nuk iu bën përshtypje aspak ju si ‘dvizhenje Besa’, pasi pragmatizmi, ladutëria dhe leverditë e pushtetit janë më të çmuara se gjithçka tjetër në qëndrimet tuaja si ‘dvizhenje’ dhe si grup politik i pabesë.

Shqiptarët nuk ua panë hajrin as juve si ortakë të rinj të Zajkos gjatë krushqisë në koalicionin ‘mozheme’ me SDSM-në, përkundrazi ju rahatuat vetëm shokët tuaj nëpër poste të ndryshme qeveritare, ku sot elektoratit tuaj as telefonin më nuk ia hapni e lëre më të vendosni për të ‘ardhmen e ndritur’ të komunave me shumicë shqiptare?

Si do ta vendosni ju besëprerët të ardhmen e vendit me SDSM-në, e cila hodhi poshtë si të papranueshme iniciativën e degës suaj të Tetovës dy vjet më parë, ku u angazhuat për ndërrimin e emrave të shkollave dhe rrugëve nga e kaluara komuniste për t’i zëvendësuar me emra të rinj nga kultura dhe historia shqiptare, në një komunë me shumicë shqiptare siç është Tetova, ku ju hoqët dorë nga ajo nismë për hir të pushtetit që kishit nuhatur në atë kohë?

Çfarë keni bërë më shumë se DUI dhe Aleancistët ju si ‘dvizhenje Besa’ në lidhje me statusin politik të shqiptarëve, kur jeni zotuar se do jeni një zë ndryshe?
Në fakt, ju u shitët dhe u bletë si të gjitha partitë politike shqiptare te kryeministrit Zajko dhe votuat për ndryshimet kushtetuese me të cilën shqiptarët mbetën popull pa gjuhë e pa identitet!

Ku mbeti premtimi për grafën etnike në letërnjoftime që jeni zotuar se do ta realizoni prej më shumë se dy vjet?

Ahere, ku është ndryshimi mes jush dhe atyre?
Ku dalloni ju nga të tjerët veç premtimeve pa mbulesë dhe zotimeve të pambajtura?
Asgjëkundi nuk dalloni, thjesht jeni kopje konforme e DUI-t.

Kështu lista e ligësive dhe dredhive tuaja politike vazhdon të luhet deri në pambarim!