Edi Rama: Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë

Ai në një konferencë për media ka thënë se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

“Ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila është angazhuar për financimin e tre projekteve të rëndësishme, ku projekti më i rëndësishëm është investimi për finalizimin e gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar më në fund, edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, një angazhim që ja kërkova dhe Presidenti e mori pas tërmetit”.

“Po ashtu, një financim tjetër i rëndësishëm për sistemin elektroenergjitik, si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat që është një program shumë interesant që do ta zbatojmë së bashku me Agjencinë Franceze të Zhvillimit. Njëkohësisht folëm edhe për investimet e Francës në energji në Shqipëri, ku kompania Voltalia po investon për Parkun më të madh Fotovoltaik të rajonit, faktikisht, në Karavasta dhe po ashtu edhe në 1 apo 2 projekte të tjera me rëndësi”.

“Natyrisht kemi qëndruar gjerë e gjatë në situatën në rajon, në ecurin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit Rajonal dhe për tema të tjera, që kanë zenë dhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë”.

Rama ka theksuar se ai nuk është njeriu i duhur për të qenë ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë, sepse unë jam palë dhe si palë, unë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë. Ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë të çojnë përpara dialogun, ashtu siç ato e mendojnë të arsyeshme. Nartyrisht, me gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë, sot dhe nesër, në Tiranë, natyrisht në momente të caktuara mund të kemi qasje të ndryshme për si të arrijme tek qëllimi, por qëllimi është absolutisht i njëjtë dhe unë jam palë”, ka thënë Rama, shkruan tch.