Edi Rama nis me konfiskimin e pasurisë së paligjshme

12 drejtoritë vendore të policisë, kanë dërguar pranë skuadrës anti-KÇK emrat e individëve të përfshirë në veprimtari kriminale, të cilëve do t’u hetohet e gjithë pasuria e tyre, shkruan Vizion Plus TV.

I pari që ka rënë në rrjetën e Forcës së Ligjit, është i shpalluri në kërkim Altin Hajri, i cili dyshohet se është koka e rrëmbimit dhe vrasjes së Jani Prengës.

Rezulton se Hajri zotëron një pasuri me vlere më shumë se 10 milionë eurosh, të cilën dyshohet se e ka arritur përmes trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt vendeve te Europës.

Pasuria e Hajrit, ishte vënë në llupë nga ana e policisë edhe gjatë vitit 2015, por me pushimin e hetimeve për drogë nga autoritetet italiane në atë kohë, edhe agjencitë shqiptare ligj-zbatuese në Shqipëri u dorëzuan duke i zhbllokuar pasurinë dhe duke mos ushtruar më asnjë kontroll ndaj tij dhe super komleksit luksoz pranë Xhafzotajt në Shijak ‘Golden’.

Pikërisht pranë këtij kompleksi u vra edhe 49-vjeçari Jani Prenga që u rrëmbye në Kamëz për shkak të pazareve të drogës.

Ende deri tani nuk është gjetur trupi i Prengës, ndërkohë Altin Hajri është në kërkim nga policia. Kujtojmë se një ditë më pare kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se forca e ligjit do të skanojë pasurinë e të gjithë personave që janë të lidhur me krimin.