Edi Rama në luftë speciale me Amerikën, në mbrojtje të Serbisë pro Rusisë

Një grup prej tre senatorëve amerikan erdhën këtë javë në Serbi me qëllim, që t’i bindin autoritetet e saj, se janë në rrugë të gabuar politike, dhe se kursi prorus, në mënyrë ultimative duhet të ndryshohet.

Mesazhet e qarta amerikane, ende nuk kanë marrë përgjigje nga Serbia, por fatkeqësisht ato nuk është duke i marrë seriozisht as Edi Rama, që vazhdon të propagandojë para Perëndimit, se Serbia është kundër Rusisë. Atë që nuk po arrin ta artikulojë dot Serbia para shteteve të fuqishme Perëndimore, po mundohet ta bëjë Kryeministri i Shqipërisë, për një shtet me armiqësi të thellë ndaj Kosovës dhe të gjithë qenies shqiptare.

Sipas Ramës, senatorët amerikan po gënjejnë

Senatori amerikan, Chris Murphy-i, pas takimit që kanë pasur senatorët edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Beograd thotë se shteti i tij i kupton lidhjet që ka Serbia me Rusinë, historikisht, por tani duhet renduar qëndrimet me shtetet demokratike perëndimore, dhe se duhet ta ndryshojë qasjen.

“Uashingtoni i kupton marrëdhëniet historike midis Serbisë dhe Rusisë, por shpreson se Serbia, së bashku me vendet e tjera demokratike, do të marrin pjesë në partneritet për të ndaluar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia”, ka thënë Murphy.

Derisa amerikanët konsiderojnë se Serbia duhet të jetë pjesë e luftës kundër pushtimit të Ukrainës, dhe se këtë nuk po e bën, për Edi Ramën, rezulton se këto qëndrime amerikane janë të gënjeshtërta.

Pra, as mesazhet e senatorëve amerikan, nuk e kanë bindur, jo më ende Vuçiqin, por as ‘binjakun’ e tij, kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, që po mundohet ta gënjejë një botë të tërë, se Serbia është në rrugën e duhur, dhe se është larg e kundër Rusisë.

Këtë e ka thënë sërish për të satën herë, në dy muaj luftë në Ukrainë (24 shkurt -20 prill deri dje), se Serbia është rreshtuar mirë.

Për herë të fundit këtë e ka bërë dje, në një intervistë të Edi Ramës për gazetën gjermane “Die Welt”, ku shprehet se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “i pambrojtur” nga ndikimi rus ndaj ekziston rreziku për destabilitet: “Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi”.

Dhe në kundërshtim me këtë, e mbron Serbinë duke thënë se ajo, ‘mori anën e Perëndimit’.

“Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë”, u shpreh Rama, i cili pas të tria votimeve është deklaruar se Serbia është me Perëndimin.

Në raportin Rusi-Serbi nuk ka asnjë habi, por i çuditshëm është vetëm Rama, përpjekjet dhe pozicioni i tij për ta shfajësuar atë.

Po, si Serbia e mori anën e Perëndimit, ndërkohë që senatorët amerikan, diplomacia amerikane, e madje besojmë edhe inteligjenca, pastaj Bashkimi Evropian, dhe madje shtetet e fuqishme, si Gjermania etj, pastaj Britania e Madhe, po i kërkojnë me ngulm që të rreshtohet në anën e Perëndimit, kryeministri shqiptar Rama, përfaqësuesin e politikës më hegjemone serbe, liderin e projektit ‘Bota serbe’, e mbron Vuçiqin duke gënjyer.

ImageEdi Rama dhe autokrati VuçiqFOTO GALERI
Më e habitshmja është se me të askush nuk merret thuaja në Shqipëri, e madje as në Kosovë. As partitë e opozitës se fajësojnë për këtë qëndrim kaq proserb e prorus, tashmë.

Ndërsa, mediat u mor vesh, shumica të paguara nga vendet armiqësore, as që ju shkon në mend ta bëjnë.

Kosova t’i dërgojë notë proteste

Kosova duhet urgjentisht t’i dërgojë një notë proteste Shqipërisë, dhe ta kërcënojë me sanksione, nëse Rama dhe diplomacia e Qeverisë së tij vazhdon ta mbrojë Serbinë, dhe në këtë mënyrë ta luftojë diplomacinë e Kosovës, që në vazhdimësi është duke i kërkuar Perëndimit ndëshkim për Serbinë, që nuk po e sanksionon Rusinë.

Madje, Kosova duhet ta shqyrtojë mundësinë që ta shpall non grata Edi Ramën, për shkak se hapur, dhe ndërgjegjshëm, po e mbron Serbinë, dhe me këtë edhe Rusinë.

Qëndrimet e Kosovës janë të qarta, si sa i përket Serbisë edhe Rusisë, madje që edhe Serbia duhet të sanksionohet, për shkak se përveç që është përkrah Rusisë, por ka projektuar të njëjtën politikë dhe plane pushtuese, si të Republikës serbe në Bosnje, si të veriut të Kosovës.

Dhe po ashtu, që kjo politikë nuk është shkëputur nga Serbia e Millosheviçit, dhe po qartësohet se ajo nuk mund të ndryshojë derisa drejtohet nga vartësit e kasapit të Ballkanit, Millosheviçit.

Ku motivohet Rama

Në qëndrimet e Edi Ramës duhet të zbulohen motivet e tij, pa të cilat pavarësisht argumentimit duken paksa të çala.

Edi Rama, kur ishte kryetar i Tiranës, ia dhuroi një këngëtari serb Goran Bregoviçit, përkrahës të fashizmit dhe Millosheviçit, “Çelësin e Tiranës”, kur u bë kryeministër ia mundësoi edhe një koncert në Korçë madje, në njërin prej qyteteve të zemrës së atdhedashurisë shqiptare.

E vizitoi disa herë Beogradin, u vllaznua me Vuçiqin, nëpërmjet qindra takimeve;

E përkrahu me mish e me shpirt projektin për ndarjen e Kosovës sipas interesit të Vuçiqit për zgjerim të Serbisë, dhe për interes të Hashim Thaçit, për të shpëtuar nga gjykata speciale.

E përkrahu projektin serb ‘minishengenin ballkanik’ dhe dështoi kur Kosova përfundimisht e refuzoi.

E përkrahu dhe po e përkrah transformimin e ‘minishengenit’ në “Ballkani i hapur” projekt serb, edhe pse tashmë ai është thuajse i vdekur, veçmas pas goditjes që ia dha Gjermania, kancelari Olaf Shulc, i cili e poshtëroi publikisht Ramën, duke i thënë se do ta ringjallë “Procesin e Berlinit”, dhe se “Ballkani i hapur”, s’ka të bëjë asgjë me atë proces!

Po e përkrah, në çdo rast me së paku pesë deklarime deri më sot, se Serbia është në anën e Perëndimit, dhe jo të Rusisë, edhe pse i gjithë Perëndimi, po i kërkon asaj, që t’i jap fund qëndrimeve proruse.

ImageEdi Rama dhe Sergej Lavrovi, me Baton Haxhiun e Sokol BallënFOTO GALERI
Ka mbajtur këshilltarë dy figurat që kanë dëshmuar antishqiptari në procese vendimtare, Baton Haxhiun dhe Shkelzen Maliqin, që hapur promovojnë ‘të vërteta historike serbe’ dhe ato i kthejnë (ose i kanë kthyer) në qëndrime politike.

Shërbimi Inteligjent i Shqipërisë, dy ditë më parë raportoi në Kuvendin e Shqipërisë (Komisionin e sigurisë), se institucionet e Shqipërisë janë të ndikuara nga shërbime armiqësore si Rusia, Serbia, Kina, Irani etj.

“Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik. Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të SHISH-it për raportimin në Kuvend të kreut të tij, Helidon Bendo, me 19 prill të këtij viti.

Nuk janë më vetëm fjalë, paragjykime dhe vlerësime të kritikëve të Ramës, interferenca ruse, serbe, greke, kineze në Shqipëri etj.

Pra, Rama duke qëndruar më afër Serbisë se Kosovës, duke qëndruar më afër Serbisë se Perëndimit, ai thjesht po vendoset në boshtin rus, dhe fatkeqësisht po mundohet këtë ta bëjë me të gjithë Shqipërinë.

Pra, motivet e tij janë se ai beson në supremacinë serbe, se të jesh në interesin e kësaj supremacie mund të vazhdosh të qeverisësh në Shqipëri, dhe se ajo ‘të mbron dhe të ndihmon të jesh dominues në qeverisje të brendshme duke ndjekur dhe realizuar edhe disa projekte të saj brenda shtetit shqiptar etj’.