Edhe presidenti i FIFA-s i del në mbrojtje Vinicius Jr

Vinicius Jr po kalon në një moment të vështirë në karrierën e tij.
Anësori brazilian tash e sa muaj është cak i thirrjeve raciste në La Liga.

Pothuajse në secilën ndeshje që ylli i Realit e luan jashtë ‘Santiago Bernabeu’ ai fyhet, ofendohet dhe shahet në mënyrën më të keqe të mundshme.

Një gjë të tillë e përjetoi edhe mbrëmë ndaj Valencias, duke u fyer na baza racore nga tifozët në ‘Mestalla’.

Ndeshja më pas eskaloi edhe në fushë, me Vinin që në minutat e fundit të ndeshjes u ndëshkua me karton të kuq.

Pas kësaj ngjarje anësori mori përkrahje nga të gjithë lojtarët e ish-lojtarët më të mëdhenj.

Por nuk mbeti pa reaguar edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino duke shprehur mbështetje maksimale për brazilianin.

“Mbështetje të madhe për Vinicius Jr. Nuk ka vend për racizëm në futboll dhe FIFA përkrah çdo lojtarë që e gjen vetën në atë situatë.

Ngjarjet gjatë ndeshjes Valencia – Real Madrid dëshmojnë që duhet të ketë ndërhyrje.

Kjo është arsyeja që ekzistojnë tre hapa procesi nga FIFA në lidhje më këso situatash.

Së pari ju e ndaloni ndeshjen, ju e shpallni atë, së dyti lojtarët largohen nga fusha dhe folësi njofton se nëse sulmet do të ndërpriten ndeshja do të pezullohet.

Ndeshja rifillon dhe më pas së treti nëse vazhdojnë sulmet ndeshja do të ndalet dhe tre pikët do t’i shkojnë kundërshtarit.

Këto rregulla duhet të zbatohen nga të gjitha shtete dhe ligat.

E qartë kjo është lehtë e realizueshme, por ne do të mundohemi t’i edukojmë në këtë aspekt”, shkroi ai në ‘Instagram’.