Kryetari i këshillit të fshatit Bellanicë të Malishevës, Hazir Hoxha po proteston para objektit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka akuzuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, për hajni, për çka edhe u ballafaqua drejtpërdrejt me të.
Deklarimin e tij ai e bëri të ulur para hyrjes së objektit të kuvendit, teksa deputetët kanë filluar të vijnë për përpjekjen e 53-të për konstituim të kuvendit, raporton KosovaPress.
“Sot më ka sjellë arroganca e djeshme e Fitore Pacollit. Unë jam Hazir Hoxha nga fshati Bellanicë, komuna e Malishevës, përfaqësues i mbi 5 mijë banorëve. Fitore Pacolli, do ta them atë thënien e famshme të Napoleonit, por do ta modifikojë për momentin që e kemi ‘gjithë janë hajna, por Fitore Pacolli është me dokument’. Këtë e vendosa para dyerve këtu, kah të hyjnë deputetët le ta shohin çka është ka bëhet këtu. Që pesë vjet gati i bën Fitore Pacolli, kurrë nuk është marrë me neve, i ka vjedhë votat prej neve, është realisht kjo. ‘Hajde se ju ndihmojmë’, e kemi pasur takime. Problemi jonë i kah-motshëm nuk është ka trajtohet. Problemi për pronat, unë i përfaqësojë pesë mijë banorë, jam kryetar i këshillit”, tha ai.
Ai tha se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, meqë siç pretendoi ai u janë marrë pronat nga ish-AKM-ja, tash AKP-ja.
Kujtojmë, një incident verbal ka ndodhur të premten në një lokal në Prishtinë, ku një qytetar është përballur me deputeten Fitore Pacolli, duke e akuzuar për korrupsion dhe duke e quajtur “hajne”.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale, qytetari i është afruar tavolinës ku po qëndronte deputetja Pacolli dhe i ka ofruar të paguajë faturën e saj, duke i thënë se “duhet t’i vijë marre që po e vjedh Kosovën”.
“A të kujtohet kur thoshe hajna? I ke bërë miliardat”, dëgjohet të thotë qytetari gjatë konfrontimit verbal.
Deputetja Pacolli shihet në video duke ia hedhur faturën qytetarit dhe duke u ngritur në këmbë, teksa reagon ndaj akuzave.
“Unë nuk tu tutna. Nuk guxon të më prekesh”, i thotë ajo qytetarit në video.
Qytetari është ndaluar nga Policia e Kosovës për shkak të sjelljes së tij dhe tensioneve të shkaktuara në vendin e ngjarjes.